
Kanadaja u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës që të rinovojnë për 16 vite të tjera marrëveshjen e tregtisë së lirë mes tre vendeve, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer deklaratat për ta bërë Kanadanë “shtetin e 51-të” të SHBA-së, përcjell Euronews.
Sipas një letre të dërguar për përfaqësuesin amerikan të tregtisë, Jamieson Greer, dhe sekretarin meksikan të Ekonomisë, Marcelo Ebrard, autoritetet kanadeze theksojnë se marrëveshja është “shumë e dobishme për secilin prej vendeve dhe për ekonominë e integruar të Amerikës së Veriut”.
Ministri kanadez për tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, konfirmoi se Kanadaja ka shkëmbyer letra me përfaqësuesit amerikanë dhe meksikanë. Nga ana e tij, Ebrard deklaroi se edhe Meksika mbështet zgjatjen e marrëveshjes për 16 vjet të tjera.
Diskutimet zhvillohen në prag të rishikimit të planifikuar në korrik të marrëveshjes USMCA, versioni më i fundit i paktit të tregtisë së lirë që lidh ekonomitë e SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës që prej fillimit të viteve 1990.
Ndërkohë, Trump ka rikthyer polemikat me Kanadanë pasi publikoi në rrjetet sociale mesazhin “51st State!”, duke iu referuar një artikulli që raportonte se ekonomia kanadeze po hyn në recesion teknik. Postimi u ripublikua më vonë edhe nga ambasadori amerikan në Kanada, Pete Hoekstra.
Deklaratat e presidentit amerikan shkaktuan reagime të menjëhershme në Kanada. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, deklaroi se “Kanadaja nuk do të jetë kurrë shteti i 51-të. Kanadaja nuk është në shitje”.
Edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, minimizoi deklaratat e Trump, duke theksuar se Otava duhet të vazhdojë bashkëpunimin me administratën amerikane për shkak të lidhjeve të forta tregtare dhe të sigurisë mes dy vendeve.
Carney pranoi gjithashtu se ekonomia kanadeze po përballet me disa vështirësi, por nënvizoi se marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në mbeten thelbësore për vendin.
Sipas rregullave të marrëveshjes, nëse tre palët nuk bien dakord për zgjatjen 16-vjeçare, pakti do të mbetet në fuqi edhe për 10 vite të tjera dhe do t’i nënshtrohet rishikimeve vjetore. Gjithashtu, Uashingtoni ka të drejtë të tërhiqet nga marrëveshja me një njoftim gjashtë muaj përpara.