Vendosni fjalën kyçe....

Kush është pronari? Zvërneci, protesta dhe kriza e besimit në Shqipëri


Nga Olsi Bakalli

Në çdo protestë të rëndësishme ekziston një pyetje që duket e thjeshtë, por që shpesh fsheh konfliktin e vërtetë. Në rastin e Zvërnecit, pyetja nuk është nëse duhet apo nuk duhet të ndërtohet një resort. Pyetja është: kush është pronari? Pronari i tokës? Pronari i zhvillimit? Pronari i vendimmarrjes? Apo në fund të fundit, kush është pronari i interesit publik?

Paradoksi fillon pikërisht këtu.

Kur qeveria shpalli projektin e Portit të Durrësit, reagimi publik ishte i kufizuar. Kur u fol për zhvillimin e Ishullit të Sazanit, protestat nuk morën përmasa kombëtare. Megjithatë sot, për Zvërnecin, shohim një mobilizim shumë më të madh.

Pse?

Sepse ndoshta nuk po protestohet vetëm për Zvërnecin.

Historia e lëvizjeve sociale tregon se protestat e mëdha zakonisht kanë tre elementë themelorë.

Së pari, një simbol të fortë.

Së dyti, një kundërshtar të identifikueshëm.

Së treti, një perceptim të padrejtësisë.

Vietnamit nuk iu kundërvu vetëm lufta. U kundërshtua një sistem vendimmarrjeje.

Occupy Wall Street nuk ishte vetëm kundër bankave. Ishte kundër perceptimit se sistemi ekonomik favorizonte pakicën.

Protestat mjedisore në Evropë nuk zhvillohen vetëm për pyjet apo lumenjtë. Ato zhvillohen kur qytetarët besojnë se vendimet po merren pa ta.

Zvërneci i ka të tre elementët. Ka simbolin e një zone të mbrojtur. Ka figurën e pushtetit politik dhe ekonomik që perceptohet si vendimmarrës. Dhe mbi të gjitha, ka perceptimin se procesi nuk është mjaftueshwm transparent.

Kjo shpjegon edhe përbërjen e protestës.

Aty gjen ambientalistë, pronarë të pakënaqur, aktivistë qytetarë, kundërshtarë politikë, individë që kërkojnë kapital publik për kauzat e tyre dhe qytetarë të zakonshëm që kërkojnë të dëgjohen.

Secili ka interesin e vet. Në fakt, askush nuk shkon në protestë pa një interes. Njëri mbron mjedisin. Një tjetër kërkon njohjen e pronës. Një i tretë kërkon rotacion politik. Një i katërt kërkon vëmendje publike.Një i pestë kërkon një Shqipëri ku fëmijët e tij të duan të jetojnë e jo të largohen.

Por fakti që interesat janë të ndryshme nuk e zhvlerwson protestën. Përkundrazi. Kjo është mënyra si funksionojnë pothuajse të gjitha lëvizjet e mëdha shoqërore.

Më interesante se vetë protesta është mungesa e opozitës.

Në një demokraci normale, një çështje e tillë do të ishte terren ideal për opozitën parlamentare. Megjithatë, opozita duket se ndjek ngjarjen më shumë si spektatore sesa si protagoniste.

Kjo ngre një pyetje të pakëndshme.

A është protesta tregues i dobësisë së qeverisë apo i boshllëkut të opozitës?

Kur qytetarët dalin në rrugë pa pritur thirrjen e partive politike, kjo shpesh tregon se kriza e përfaqësimit është bërë më e madhe se vetë konflikti konkret.

Dhe pikërisht këtu hyjmë në territorin e ekonomiksit institucional.

Douglass North argumentonte se prosperiteti nuk krijohet vetëm nga tregjet apo investimet, por nga institucionet që krijojnë besim. Hernando de Soto e shihte pronën si themelin e kapitalizmit modern. Ndërsa Daron Acemoglu argumenton se vendet zhvillohen kur institucionet janë gjithëpërfshirëse dhe jo kur kontrollohen nga elita të ngushta.

Në Shqipëri, pyetja “kush është pronari?” vazhdon të mbetet e paqartë edhe pas tre dekadash tranzicion.

Dhe kjo është ndoshta drama më e madhe kombëtare.

Mungesa e një kadaste përfundimtare nuk është problem teknik. Është problem ekonomik. Është problem politik. Është problem civilizues.

Një tokë me tre pronarë nuk mund të prodhojë siguri. Një investitor nuk investon me qetësi mbi pasiguri juridike. Një qytetar nuk beson lehtë kur dokumentet e pronësisë mbeten objekt konflikti.

Prandaj konflikti në Zvërnec nuk fillon te resorti. Ai fillon te prona. Dhe përfundon te besimi.

Këtu ndërhyn teoria e zgjedhjes publike.

Ajo na kujton se politikanët nuk janë aktorë neutralë. Ata ndjekin stimuj politikë njësoj si bizneset ndjekin fitimin. Për këtë arsye, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë dekor demokratik. Janë mekanizma mbrojtës kundër abuzimit të pushtetit.

Problemi është se Shqipëria ka konsumuar shumë prej rezervave të saj të besimit publik.

Inceneratorët u prezantuan si revolucion mjedisor. Sistemet dixhitale tw AKSHI-t si revolucion administrativ. Projekte të tjera strategjike si motorë zhvillimi.

Por debatet, hetimet dhe polemikat që i kanë shoqëruar kanë krijuar një klimë ku çdo projekt i ri gjykohet jo mbi dokumentet e tij, por mbi kujtesën kolektive.

Dhe kujtesa është gjithmonë më kokëfortë se propaganda.

Prandaj pyetja që duhet të shtrojmë nuk është nëse jemi pro apo kundër një resorti.

Pyetja është nëse Shqipëria ka ndërtuar institucione të tilla që qytetarët të besojnë se interesi publik mbrohet pavarësisht se kush investon dhe kush qeveris.

Sepse në fund të fundit, Zvërneci mund të mos jetë konflikti. Mund të jetë vetëm pasqyra. Dhe ajo që po shohim në atë pasqyrë nuk është një debat për një lagunë. Është reflektimi i një shteti që kërkon besim dhe i një shoqërie që ende nuk është bindur t’ia japë.