Vendosni fjalën kyçe....

Costa për Zvërnecin: Shqipëria duhet të zbatojë ligjet e BE-së për mjedisin, nuk mund të flas për projekt të veçantë



Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, u pyet për projektin e Zvërnecit gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Në përgjigjen e tij, Costa theksoi se në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të respektojë dhe të zbatojë legjislacionin europian, përfshirë atë që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.

Ai sqaroi se nuk mund të komentojë një projekt konkret, por nënvizoi rëndësinë e harmonizimit të politikave dhe praktikave të vendit me standardet e Bashkimit Europian.

“Në procesin e anëtarësimit pritet që Shqipëria të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së, përfshirë mjedisin. Nuk mund të flas për një projekt të veçantë. Me rëndësi është vënia në zbatim e legjislacionit europian në Shqipëri”, deklaroi Costa.

Deklarata vjen në një kohë kur projekti i parashikuar për ndërtimin e një resorti në zonën e Zvërnecit ka shkaktuar debate dhe protesta, me kundërshtarët e investimit që kërkojnë ndalimin e tij, duke argumentuar se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë mjedisore.