Vendosni fjalën kyçe....

“Rama e Berisha janë bashkë. Në Zvërnec po ndodh shpronësim i dhunshëm” – Qori


Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori akuzoi kryeministrin Rama dhe kreun e PD-së Berisha lidhur me projektin e Zvërnecit teksa tha se ata janë në krah të njëri-tjetrit. Lidhur me çështjen e pronave në Zvërnec ai tha se po ndodhin shpronësime të pronarëve të vegjël dhe se nmë jug të vendit janë shpikur pronarë pa pronë.

“Kam qenë bashkë me aktivistët e Lëvizjes Bashkë në Zvërnec, na kanë thirrur qytetarët, kemi qenë dëshmitarë të dhunës dhe memecërisë së policisë së shtetit, pjesë e dy protestave në Tiranë dhe kjo është ftesa ime e parë dhe dalja ime e parë për këtë që po bëhet nami këtu në Shqipëri, sepse TV-të në Shqipëri janë duke censuruar.  Në Shqipëri po ndodh një gjë shumë e rëndësishme, po shpronësohen pronarët e vegjël…kjo ka qenë arsyeja që qytetarët në Zvërnec dhe Tiranë kanë dalë dhe do të dalin vazhdimisht të protestojnë. Sot që flasim Rama del dhe më sulmon mua, Berisha thotë se është pro investimit, pra janë në krah të njëri-tjetrit… masa e madhe e qytetarëve thërriste në kor ‘Rama-Berisha në burg’, sepse i shohin si bashkëfajtorë.” – tha Qori në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Ai ngriti gjithashtu akuza për manipulim të pronësisë dhe përfitime të paligjshme në proceset kadastrale, duke përmendur se, sipas tij, “janë shpikur pronarë dhe qytetarë pa pronë”, ndërsa projekte me vlerë të lartë financiare po zbatohen pa transparencë mbi koston reale dhe pasojat për komunitetet lokale.