
Deputeti i PD-së Belind Këlliçi ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë si përgjegjës për situatën e krijuar pas ngjarjeve të fundit në Zvërnec, ku ka pasur dhunë ndaj protestuesve.
Në një postim në Facebook, Këlliçi u shpreh: “Edi Rama, nuk të shpëton dot roja i sigurisë, je ti dhunuesi e plaçkitësi i këtij vendi!”, ndërsa e cilësoi kreun e qeverisë si “një politikan i korruptuar dhe një qënie pa moral e virtyt”.
Ai vijoi akuzat duke thënë se kryeministri, sipas tij, ndryshon qëndrim vetëm në momente presioni publik.
“Me siguri, ai kishte planifikuar një tjetër fjalim… por kur protesta dhe revolta i shkoi tek zyra, e grisi dhe sot mbajti një tjetër fjalim, atë që mban vetëm kur kërkon të ruajë pushtetin e lëkurën e tij”, deklaroi Këlliçi.
Sipas tij, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë pjesë e praktikës së qeverisjes.
“Shpjegimi, transparenca, llogaridhënia, nuk janë zgjedhja e tij. Ai e bën këtë vetëm kur është i detyruar. Vetëm kur vihet në rrezik karrikja e tij”, u shpreh ai.
Duke iu referuar ngjarjeve në Zvërnec, Këlliçi e akuzoi drejtpërdrejt Ramën si përgjegjës politik, duke deklaruar: “Dhunuesi aty është Edi Rama”, ndërsa shtoi se, sipas tij, “ai është frymëzuesi i arrogancës, i goditjes së njerëzve”.
Në vijim, ai pretendoi se qytetarët përballen me presion dhe mungesë të drejtësisë, duke thënë se “qytetarët shkelen me këmbë, nuk gjejnë të drejtën, sorollaten e fyhen nga njerëzit që kanë pushtetin”.
Në përmbyllje të deklaratës, Këlliçi i drejtoi një pyetje publike kryeministrit: “A i the të gjitha të vërtetat për Zvërnecin?!”, ndërsa theksoi se opozita do të vijojë të kërkojë transparencë për rastin.