Vendosni fjalën kyçe....

Mediu organizon Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë: Partneriteti BE-SHBA e roli i pazëvendësueshëm i NATO-s


Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, organizoi në Tiranë Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë me temë “Partneriteti BE–SHBA dhe Roli i Pazëvendësueshëm i NATO-s”, me mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi.

Në këtë forum morën pjesë autoritete të larta të Kongresit dhe politikës amerikane, përfaqësues të Parlamentit Britanik, Gjerman, Italian, Parlamentit Europian, Rumanisë, Bullgarisë dhe vendeve të Ballkanit, si dhe përfaqësues të Institutit Republikan Amerikan. Forumi u përshëndet edhe nga ish-Komandanti Suprem i NATO-s, Gjenerali Tod Wolters.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan se marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian mbeten jetike për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e rendit demokratik euro-atlantik. Në kushtet e sfidave të reja globale — agresionit rus ndaj Ukrainës, tensioneve në Lindjen e Mesme, kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike, terrorizmit dhe konkurrencës gjeopolitike globale — u nënvizua se NATO mbetet aleanca më e rëndësishme dhe më e suksesshme e sigurisë në botë.

Një nga temat kryesore të forumit ishte nevoja për forcimin real të NATO-s përmes ndarjes së përgjegjësive dhe rritjes së investimeve në mbrojtje. Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e objektivit të ri të investimeve deri në 5% të PBB-së për mbrojtjen dhe sigurinë, jo vetëm si rritje shpenzimesh, por si domosdoshmëri për rritjen e gatishmërisë ushtarake, mbrojtjen ajrore, sigurinë kibernetike, rezervat strategjike dhe kapacitetet industriale të mbrojtjes.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të deterrancës ushtarake të NATO-s në Ballkan, përmes bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet vendeve anëtare të Aleancës në rajon. Në këtë kuadër, u diskutua rëndësia e joint procurement, prodhimit të përbashkët, ekonomisë së shkallës dhe bashkëpunimit me industrinë amerikane dhe europiane të mbrojtjes, si instrumente të domosdoshme për rritjen e kapaciteteve ushtarake, ndërveprueshmërisë dhe sigurisë rajonale.

Pjesëmarrësit theksuan se Ballkani mbetet një rajon me rëndësi strategjike, i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve keqdashëse, ndikimit politik, ekonomik dhe informativ rus e kinez, të cilat synojnë dobësimin e institucioneve demokratike, orientimit euro-atlantik dhe kohezionit të NATO-s në rajon. Përballë këtyre sfidave, u theksua nevoja për një koordinim më të madh politik dhe ushtarak ndërmjet vendeve të NATO-s në Ballkan, si dhe mbështetja për forcimin e arkitekturës euro-atlantike të sigurisë në rajon.

Në këtë kontekst, pjesëmarrësit riafirmuan mbështetjen për integrimin e plotë euro-atlantik të rajonit, përfshirë angazhimin për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, si një faktor i rëndësishëm për paqen afatgjatë, stabilitetin rajonal dhe sigurinë e komunitetit euro-atlantik.

Mesazhi kryesor i forumit ishte i qartë: siguria europiane ka nevojë për Amerikën, Amerika ka nevojë për aleatë të fortë, dhe NATO mbetet ura e pazëvendësueshme që garanton lirinë, sigurinë dhe stabilitetin e komunitetit euro-atlantik.