
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka akredituar 761 vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së zhvilluar të premten, ku KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike për grupin e parë të organizatave vëzhguese.
Drejtori i kësaj zyre, Besnik Buzhala, bëri të ditur se të gjitha organizatat e akredituara kanë përmbushur kushtet dhe kriteret ligjore për të monitoruar procesin zgjedhor.
Nga ana tjetër, KQZ refuzoi akreditimin e dy organizatave, pasi sipas autoriteteve zgjedhore ato nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj.
Vëzhguesit e akredituar do të kenë rol në monitorimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, me qëllim garantimin e transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.