
Ervin Salianji, kreu i lëvizjes se emëruar “Për ta bërë PD-në fituese”, lëshoi lumë akuzash ndaj kupolës së partisë dhe kreut Berisha, ndërsa theksoi se ky i fundit ka marrë peng partinë.
Ish-deputeti shtoi se në PD duhet rikthyer meritokracia dhe ajo duhet të kthehet në një parti moderne, të hapur e gjithëpërfshirëse.
“Të hapur ndaj kujtdo që dëshiron largimin e Ramës. Ne duhet të kthejmë meritokracinë si standard. Sot në PD më të dështuarit promovohen dhe më të suksesshmit ndëshkohen. Duhet t’i japin fund emërimeve klienteliste në PD. PD duhet të bashkojë çdo copë opozitarizmi. Ne besojmë se PD ka mundësi për të pasur një fytyrë tjetër, përtej berishizmit. Të bashkojmë opozitën, demokratët dhe gjithë shqiptarët që duan ndryshim Shqipëria ka nevojë për një opozitë të madhe, moderne e gjithëpërfshirëse. Kjo është një betejë për të ardhmen. Kjo lëvizje nuk është e lehtë, por e drejtë. Sot pasi kemi shkelur të 12 qarqet, jam më krenar se kurrë për të gjithë mbështetjen që kemi marrë”, tha mes të tjerash Salianji.