Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka bllokuar përkohësisht planin e administratës së Presidentit Donald Trump për krijimin e një fondi prej afro 1.8 miliardë dollarësh, i cili synonte të kompensonte personat që, sipas Trump, kanë qenë viktima të “armatizimit” të institucioneve shtetërore.
Vendimi u mor nga gjyqtarja federale Leonie Brinkema e Gjykatës së Qarkut Lindor të Virxhinias, e cila urdhëroi administratën Trump të mos ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm për ngritjen ose funksionimin e fondit derisa të shqyrtohen argumentet shtesë ligjore të paraqitura në çështje.
Fondi, i quajtur “Anti-Weaponization Fund”, u njoftua javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë si pjesë e një marrëveshjeje për mbylljen e padisë së ngritur nga Trump kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), lidhur me publikimin e të dhënave të tij tatimore, përcjell Reuters.
Sipas planit të administratës, fondi prej 1.776 miliardë dollarësh do të administrohej nga një komision prej pesë anëtarësh, i cili do të shqyrtonte kërkesat për kompensim të personave që pretendojnë se kanë qenë viktima të asaj që Trump dhe aleatët e tij e kanë quajtur “lawfare” dhe “weaponization”, terma që ata përdorin për hetimet dhe procedimet penale të zhvilluara ndaj tyre.
Vendimi i gjykatës erdhi pas një padie të ngritur nga një grup personash që pretendojnë se janë shënjestruar nga administrata Trump-Vance si kundërshtarë politikë ose ideologjikë dhe që argumentojnë se nuk do të kishin të drejtë të përfitonin pagesa nga ky fond.
Nisma ka shkaktuar reagime të forta edhe brenda Partisë Republikane. Disa ligjvënës republikanë kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për kompensimin e personave të përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Kritikët argumentojnë se skema mund të çojë në përdorimin e parave të taksapaguesve për të shpërblyer individë që morën pjesë në ngjarjet e dhunshme të asaj dite, ndërsa mbështetësit e fondit pretendojnë se ai synon të ndihmojë qytetarët që kanë qenë objekt i ndjekjeve të padrejta politike ose institucionale.
Gjykata pritet të dëgjojë argumentet e plota të palëve në javët e ardhshme, përpara se të vendosë nëse fondi mund të vazhdojë të zbatohet apo do të bllokohet përfundimisht.
