Shtetet e Bashkuara dhe Irani po afrohen drejt një marrëveshjeje fillestare, e cila mund të hapë rrugën për negociata më të gjera mbi programin bërthamor iranian, heqjen e sanksioneve amerikane dhe përfundimin formal të konfliktit mes dy vendeve.
Sipas zyrtarëve të përfshirë në bisedime, palët po shqyrtojnë një memorandum të ri, i cili mund të miratohet së shpejti, megjithëse ende ekzistojnë mospajtime të rëndësishme, percjell Ynet.
Raportimet tregojnë se marrëveshja do të kishte karakter paraprak dhe do të shërbente si kornizë për negociata më të vështira, të cilat pritet të zgjasin të paktën 60 ditë.
Gjatë kësaj periudhe, SHBA-ja dhe Irani do të angazhoheshin të mos ndërmarrin sulme ndaj njëri-tjetrit.
Në ditët e fundit janë regjistruar shkëmbime të kufizuara zjarri mes forcave amerikane dhe iraniane, duke shtuar presionin mbi negociatorët për të arritur një marrëveshje.
Diplomatë të përfshirë në proces kanë paralajmëruar se zgjatja e negociatave mund të rrisë frustrimin në të dyja palët dhe të çojë në përshkallëzim të përplasjeve ushtarake.
Sipas burimeve të cituara nga “The New York Times”, drafti aktual parashikon lirimin gradual të aseteve iraniane të ngrira që në fazat e para të zbatimit të marrëveshjes. Gjithashtu po diskutohet krijimi i një fondi investimesh ndërkombëtar për Iranin, me vlerë që mund të arrijë deri në 300 miliardë dollarë nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare mbi çështjen bërthamore.
Një nga elementët më të debatueshëm mbetet statusi i Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit. Sipas interpretimit amerikan të memorandumit, lundrimi në ngushticë do të rifillonte menjëherë, ndërsa bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të hiqej gradualisht.
Nga ana tjetër, Irani kërkon një afat të përcaktuar për heqjen e bllokadës dhe dëshiron të ruajë të drejtën për të vendosur tarifa tranziti në të ardhmen.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi së fundmi se kjo rrugë ujore ndërkombëtare duhet të mbetet e hapur për të gjithë dhe pa tarifa shtesë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i draftit lidhet me investimet e huaja në Iran. Sipas diplomatëve të përfshirë në bisedime, fondi i propozuar do të shërbente si një instrument ndërkombëtar investimesh që SHBA-ja do të ndihmonte ta promovonte në rast të një marrëveshjeje përfundimtare.
Zyrtarë iranianë kanë propozuar që kompanive amerikane, përfshirë gjigantët e sektorit energjetik dhe të naftës, t’u lejohet të investojnë dhe të krijojnë sipërmarrje të përbashkëta në Iran.
Marrëveshja pritet gjithashtu të mundësojë lirimin gradual të një pjese të fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Sipas burimeve të njohura me negociatat, Irani ka rreth 24 miliardë dollarë asete të bllokuara në banka të huaja dhe kërkon qasje në deri 20 miliardë dollarë prej tyre si kusht për vazhdimin e negociatave.
Në fazën e dytë të bisedimeve do të trajtohet çështja e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit. Drafti parashikon diskutime mbi mënyrën e trajtimit të stokut aktual, i cili përfshin rreth 440 kilogramë uranium që mund të pasurohet shpejt në nivel të përshtatshëm për armë bërthamore.
Sipas versionit të paraqitur nga pala iraniane, Teherani do të pezullonte programin e tij bërthamor gjatë periudhës së negociatave, ndërsa SHBA-ja do të angazhohej të mos vendosë sanksione të reja. Heqja graduale e sanksioneve ekzistuese do të ndodhte vetëm nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare mes palëve.
