Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të Albanian Digital Solutions (ADS), një strukturë e re publike e krijuar për të mbështetur modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e inovacionit teknologjik në Shqipëri.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj theksoi se krijimi i ADS-së shënon një fazë të re në zhvillimin e shtetit digjital shqiptar. Sipas saj, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të përqendrohet në rolin strategjik, rregullator dhe monitorues të standardeve, ndërsa ADS do të ketë funksion operacional për zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të administratës publike.
“ADS synon që Shqipëria jo vetëm të ndërtojë zgjidhje teknologjike për administratën publike, por edhe t’i eksportojë ato në tregje të tjera, duke krijuar potencial të ri ekonomik dhe duke zhvilluar industrinë vendase të teknologjisë”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj u ndal gjithashtu te projektet që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, veçanërisht në sistemin e prokurimeve publike.
Ajo shpjegoi se inteligjenca artificiale do të ndihmojë në hartimin e termave të referencës, përllogaritjen e fondit limit, kontrollin e dokumentacionit dhe monitorimin në kohë reale të procedurave të tenderimit.
“Qëllimi ynë është që Shqipëria të ketë sistemin e parë të prokurimeve publike tërësisht me inteligjencë artificiale dhe pse jo të eksportojë këtë sistem në të gjithë vendet e botës”, u shpreh Ibrahimaj.
