Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Shteti nuk po e fal Zvërnecin, është pronë private


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet dhe protestat që po zhvillohen për projektet në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, duke hedhur poshtë pretendimet se shteti po “fal” prona publike.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e themelimit të kompanisë “Albanian Digital Solution”, Rama u shpreh se lajmet për dorëzim të pronave shtetërore janë të pavërteta, duke theksuar se në rastin e Zvërnecit nuk bëhet fjalë për pasuri shtetërore.

“Shteti nuk po fal asgjë, sepse aty shteti nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private. Investitorët e kanë marrë nga privati, që të jemi shumë të qartë,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se investitorët e përfshirë në projekt janë seriozë dhe procesi po zhvillohet mbi baza ligjore, ndërsa theksoi se shteti është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm në projektin e ishullit të Sazanit.

“Shteti po, ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është ishulli i Sazanit. Ende nuk kanë përfunduar negociatat, pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit dhe shteti shqiptar do të jetë aty,” u shpreh ai.

Kryeministri iu referua gjithashtu protestave të qytetarëve dhe zërave kritikë që pretendojnë se ndërtimet në këto zona janë të paligjshme, duke i cilësuar ato si dezinformim mbi projektet në fjalë.