Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar sërish transparencë nga Banka e Shqipërisë lidhur me licencimin e “Jet Bank”, duke akuzuar institucionet përgjegjëse se nuk kanë dhënë informacion të plotë për procesin.
Në një deklaratë publike, Këlliçi tha se prej pesë muajsh opozita ka kërkuar në mënyrë të përsëritur, si publikisht ashtu edhe përmes rrugëve zyrtare, sqarime mbi licencimin e një banke digjitale në Shqipëri, por sipas tij nuk është marrë një përgjigje e plotë nga autoritetet.
Ai ngriti shqetësimin se Banka e Shqipërisë nuk ka përmbushur detyrimin e saj ligjor për të informuar Kuvendin dhe qytetarët mbi procesin e licencimit, duke e cilësuar situatën si mungesë transparence.
Sipas Këlliçit, institucioni qendror bankar është shprehur se nuk mund të japë të dhëna të plota duke u referuar ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ose informacionit të klasifikuar si sekret, çka ai e kundërshtoi.
Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi subjektin që qëndron pas “Jet Bank”, duke kërkuar verifikime të plota mbi përfituesit realë të licencës dhe historikun e tyre financiar e ligjor.
Ai theksoi se sektori bankar është me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe sigurinë financiare të qytetarëve, duke shtuar se procesi i licencimit duhet të jetë plotësisht transparent, veçanërisht në kushtet e luftës kundër pastrimit të parave.
Këlliçi kërkoi që Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori të japin shpjegime të detajuara dhe të plotësojnë kërkesat për informacion, duke theksuar se çdo mungesë transparence, sipas tij, rrit dyshimet mbi procesin.
Në fund të deklaratës së tij, ai u bëri thirrje institucioneve që të bëjnë transparencë të plotë mbi çështjen, duke theksuar se mbrojtja e interesit publik dhe siguria e qytetarëve duhet të jenë prioritet.
Por nga ana tjetr ka reaguar Jet Bank ka reaguar pas kërkesës së depozituar nga shtatë deputetë të Partisë Demokratike pranë Bankës së Shqipërisë, ku kërkohet informacion mbi procedurat e licencimit të bankës së parë digjitale në vend.
Përmes një emaili, Jet Bank thekson se licencimi i saj është realizuar nga Banka e Shqipërisë pas një procesi të plotë rregullator dhe mbikëqyrës, në përputhje me legjislacionin bankar në fuqi dhe standardet e mbikëqyrjes financiare.
Sipas bankës, procesi ka përfshirë verifikime dhe kontrolle të detajuara mbi strukturën aksionere, burimet e financimit, qeverisjen korporative, si dhe mekanizmat e sigurisë dhe përputhshmërisë me kuadrin ligjor.
“Jet Bank është licencuar nga Banka e Shqipërisë pas një procesi rigoroz rregullator dhe mbikëqyrës, në përputhje me kuadrin ligjor bankar në fuqi dhe standardet e mbikëqyrjes financiare”, thuhet në reagimin e bankës.
Në qëndrimin e saj, Jet Bank e lidh zhvillimin e bankimit digjital me procesin e modernizimit të sektorit financiar shqiptar dhe integrimin europian, duke theksuar se inovacioni teknologjik, siguria kibernetike dhe standardet kundër pastrimit të parave përbëjnë tashmë elementë thelbësorë të funksionimit të sistemit bankar.
Banka i është përgjigjur edhe shqetësimeve të ngritura publikisht nga deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili ka kërkuar sqarime mbi aspektet e sigurisë kibernetike dhe mekanizmat për parandalimin e pastrimit të parave.
Sipas Jet Bank, përvoja europiane ka treguar se modelet moderne të bankave digjitale nuk ulin standardet e sigurisë, por i forcojnë ato përmes teknologjive të avancuara të monitorimit dhe kontrollit.
“Në ekonominë moderne europiane, bankingu digjital, cyber resilience dhe kuadri AML/CFT konsiderohen elementë thelbësorë të sigurisë kombëtare financiare. Teknologjia nuk ul standardet e sigurisë. Përkundrazi, i forcon ato përmes monitorimit në kohë reale, proceseve të avancuara kundër pastrimit të parave dhe gjurmueshmërisë së plotë të transaksioneve financiare”, thuhet në reagim.
Jet Bank nënvizon se është ndërtuar mbi standarde moderne europiane të sigurisë dhe transparencës, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë të teknologjisë.
Banka shton se skepticizëm ndaj modeleve të reja të bankimit digjital ka pasur edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, por se institucionet europiane kanë mbështetur vazhdimisht inovacionin, konkurrencën dhe transformimin teknologjik të sektorit financiar.
Reagimi vjen pasi më herët deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, njoftoi se shtatë deputetë të opozitës kanë firmosur një kërkesë zyrtare drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar informacion dhe sqarime të detajuara mbi procedurat e licencimit të Jet Bank, bankës së parë plotësisht digjitale në Shqipëri.
