Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria negocion me BE për miliardat e ngrira, takim vendimtar me Von der Leyen



Hungaria po zhvillon negociata intensive me Bashkimin Evropian për të siguruar zhbllokimin e miliarda eurove fonde të ngrira, ndërsa kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar, pritet të takohet këtë të premte me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përcjell Euronews.

Takimi konsiderohet si një përpjekje për të sinjalizuar një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit, pas largimit nga pushteti të Viktor Orbán, i cili drejtoi vendin për 16 vite dhe u përplas vazhdimisht me institucionet evropiane.

Brukseli ka mbajtur të ngrira rreth 17 miliardë euro fonde për Hungarinë për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Tashmë, qeveria e re po përpiqet të sigurojë të paktën 10.4 miliardë euro nga fondi evropian i rimëkëmbjes pas pandemisë.

“Jam shumë pranë një marrëveshjeje”, deklaroi Magyar në një video në Facebook, duke shtuar se disa çështje mbeten ende të hapura dhe do të diskutohen drejtpërdrejt me Von der Leyen.

Sipas tij, është arritur dakordësi për disa reforma që lidhen me fondacionet publike dhe forcimin e mandatit të Autoritetit të Integritetit kundër korrupsionit.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka kërkuar që Hungaria të fokusohet fillimisht tek grantet prej 6.5 miliardë eurosh, ndërsa mbetet e paqartë sa nga fondet totale do të zhbllokohen.

Qeveria e Magyar po përpiqet gjithashtu të rikuperojë miliarda euro të tjera nga fondet e kohezionit, të cilat lidhen edhe me reforma më të ndjeshme politikisht, si ligjet anti-LGBTIQ+, azili dhe liria akademike.

Në deklaratat e tij, Magyar këmbënguli se negociatat për fondet nuk lidhen me Ukrainën apo çështjet gjinore, por kryesisht me luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e financimeve për Hungarinë.

Megjithatë, në tryezën e diskutimeve mbetet edhe çështja e integrimit të Ukrainës në BE, si dhe presioni i Brukselit ndaj vendeve anëtare për të reduktuar varësinë nga energjia ruse. Hungaria kundërshton ndërprerjen e importeve të naftës dhe gazit rus përpara vitit 2035.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se pret që Hungaria të heqë veton ndaj negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE gjatë muajit qershor.