Franca ka shfuqizuar zyrtarisht “Kodin e Zi” (Code Noir), një ligj i shekullit të 17-të që klasifikonte njerëzit e skllavëruar si pronë dhe lejonte trajtimin çnjerëzor të tyre në kolonitë franceze.
Asambleja Kombëtare franceze votoi unanimisht me 254 vota pro dhe asnjë kundër për heqjen e ligjit të firmosur nga mbreti Louis XIV në vitin 1685, përcjell The Guardian.
Ligji kishte mbetur teknikisht në fuqi për gati 180 vite pas heqjes së skllavërisë nga Franca në vitin 1848.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se kodi “nuk duhej të kishte mbijetuar kurrë pas heqjes së skllavërisë”.
“Heshtja, madje edhe indiferenca që kemi mbajtur për gati dy shekuj ndaj këtij Kodi të Zi, nuk është më një neglizhencë. Është bërë një formë fyerjeje”, tha Macron.
Ai shtoi se çështja e reparacioneve për rolin e Francës në tregtinë e skllevërve është një debat që vendi “nuk duhet ta refuzojë”, por paralajmëroi se nuk duhen bërë “premtime të rreme”.
Debati në parlament u shoqërua me emocione të forta, ndërsa shumë deputetë shprehën habi që ligji vazhdonte ende të ekzistonte formalisht.
Deputeti nga Martinique, Steevy Gustave, pasardhës i skllevërve, foli me lot në sy në parlament.
“Asnjë votim nuk mund të riparojë shekuj jetësh të shkatërruara. Ne nuk jemi pasardhës skllevërish, por pasardhës njerëzish që lindën të lirë dhe më pas u reduktuan në skllavëri”, deklaroi ai.
“Kodi i Zi” përmbante 60 nene që rregullonin çdo aspekt të jetës së skllevërve. Një prej neneve i konsideronte njerëzit e skllavëruar si “pronë e luajtshme”, ndërsa të tjerë parashikonin gjymtime për ata që arratiseshin dhe mohonin vlefshmërinë e dëshmive të tyre.
Deputeti Max Mathiasin nga Guadeloupe, i cili propozoi shfuqizimin e ligjit, tha se nuk kishte arritur kurrë ta lexonte të plotë tekstin origjinal për shkak të dhimbjes që i shkaktonte.
“Kjo është bërë nga qenie njerëzore kundër qenieve njerëzore”, u shpreh ai.
Franca konsiderohet fuqia e tretë më e madhe në tregtinë transatlantike të skllevërve pas Britania e Madhe dhe Portugalia, duke transportuar rreth 1.4 milionë afrikanë drejt plantacioneve të sheqerit në kolonitë e saj.
Një nga kolonitë më të pasura ishte Haiti i sotëm, ku skllevërit u ngritën në revoltë dhe fituan pavarësinë në vitin 1804. Megjithatë, Franca i detyroi ish-skllevërit të paguanin kompensime për humbjet e pronarëve francezë deri në vitin 1947.
Sot, territoret franceze përtej detit si Guadeloupe, Martinique, Guiana Franceze dhe Réunion mbeten ndër zonat më të varfra të Francës, me nivele papunësie dhe varfërie dukshëm më të larta se në territorin kontinental.
