Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli merr avionin e parë amerikan KC-46


Izraeli ka marrë nga SHBA avionin e parë furnizues në ajër KC-46, pjesë e një programi të madh modernizimi ushtarak që synon rritjen e kapaciteteve për operacione në distanca të largëta, përfshirë sulme të mundshme ndaj Iranit dhe objektivave të tjera në Lindjen e Mesme.

Sipas ushtrisë izraelite, bëhet fjalë për të parin nga të paktën gjashtë avionët KC-46 që do t’i dorëzohen Izraelit nga SHBA, ndërsa disa zyrtarë kanë përmendur mundësinë që numri total të arrijë deri në tetë, përcjell JP.

Avioni i ri, i cili në Forcën Ajrore Izraelite do të quhet “Gideon”, ka kapacitet të mbajë rreth 15% më shumë karburant dhe të dyfishojë aftësinë e furnizimit në ajër krahasuar me avionët ekzistues “Raam”.

Nënkoloneli izraelit i identifikuar vetëm me inicialin “A” deklaroi se nëse KC-46 do të ishte përdorur gjatë luftës së fundit me Iranin, ai do të kishte rritur ndjeshëm aftësitë operative të aviacionit ushtarak izraelit.

“KC-46 i jep forcave ajrore një aftësi shumë më të madhe për të operuar dhe goditur kudo që është e nevojshme në Lindjen e Mesme”, tha ai.

Sipas raportit, ky zhvillim konsiderohet një ndryshim i rëndësishëm strategjik për Izraelin, pasi i jep më shumë pavarësi për të kryer operacione ushtarake edhe pa mbështetjen direkte të SHBA-së në të ardhmen.

Artikulli thekson se shumica e territorit iranian ndodhet mbi 1,500 kilometra larg Izraelit, ndërsa disa objektiva arrijnë deri në 2,000 kilometra distancë.

Edhe objektivat e lidhura me rebelët Houthi në Jemen ndodhen në distanca të ngjashme, çka e bën furnizimin në ajër thelbësor për operacionet afatgjata.

Izraeli kishte zhvilluar më herët metoda të ngritjes së shpejtë të avionëve luftarakë për të reduktuar nevojën e furnizimit në ajër, por kjo kufizon ndjeshëm kohën e operimit dhe numrin e objektivave që mund të goditen.

Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, avionët KC-46 do të pajisen me sisteme izraelite dhe do të përshtaten sipas nevojave operative të Forcës Ajrore.

Programi është pjesë e një plani 10-vjeçar modernizimi ushtarak me vlerë rreth 350 miliardë shekelë, që përfshin edhe blerjen e avionëve shtesë F-35 dhe F-15IA.

Nënkoloneli “A” bëri me dije se një tjetër avion KC-46 pritet të mbërrijë muajin e ardhshëm, dy të tjerë gjatë vitit të ardhshëm dhe dy të tjerë deri në vitin 2030.

Avioni KC-46 mund të transportojë rreth 110 trupa ushtarake dhe të përdoret edhe për operacione mjekësore emergjente. Ai është i pajisur me kuzhinë, furrë, tualet dhe sisteme të avancuara kontrolli temperature.