
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe mirëkuptimi.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit uroi më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi për familjet shqiptare, ndërsa theksoi se kjo festë simbolizon sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit dhe kujdesin për njerëzit në nevojë.
“Kurban Bajrami është kujtesë për sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin”, shprehet Presidenti Begaj.
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e vlerave tradicionale shqiptare, si besimi, familja, mikpritja dhe respekti për njëri-tjetrin, të cilat, sipas tij, festa të tilla i mbajnë gjallë ndër shekuj.
Presidenti Begaj e përcolli urimin nga Mecca, ku ndodhet me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud.
“Jam veçanërisht i nderuar që këtë festë ta pres në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe paqe”, thuhet në mesazhin e tij.