Vendosni fjalën kyçe....

Myslimanët shqiptarë kremtojnë Kurban Bajramin



Besimtarët myslimanë shqiptarë kremtuan këtë të diel festën e Kurban Bajramit, një prej festave më të rëndësishme të kalendarit islam. Qindra besimtarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku u fal Namazi i Kurban Bajramit.

Gjatë ceremonisë, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përcolli një mesazh urimi dhe reflektimi për besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, respektit dhe bashkëjetesës mes njerëzve.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se Kurban Bajrami është një festë që i fton besimtarët të largohen nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit.

“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.

Pas faljes së Namazit, besimtarët vijuan ritualet tradicionale të kësaj feste, duke kryer prerjen e kurbanit dhe vizitat në familje e tek të afërmit për të shkëmbyer urimet.

Kurban Bajrami lidhet me sakrificën e profetit Ibrahim dhe simbolizon përkushtimin, besimin dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.