Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Kulla Eifel do ndihmojë në ‘luftën’ kundër krizës energjetike


Kryebashkiakja e Parisit pritet të frenojë përdorimin e ndriçimit në Kullën Eifel, si pjesë e masave të kursimit të energjisë të kryeqytetit francez, mes kostove të larta të karburantit dhe krizës së kostos së jetesës në mbarë BE-në.

Kryebashkiakja Anne Hidalgo do prezantojë planin e saj për uljen e konsumit të energjisë në fillim të javës së ardhshme, raportoi të shtunën revista franceze ‘Le Journal du Dimanche’.

Paketa thuhet se përfshin fikjen e 336 projektorëve që i japin simbolit të shquar të Parisit dhe Francës shkëlqimin e tij të artë historik gjatë natës, 75 minuta më herët se zakonisht. Kulla 330 metra e lartë pritet të errësohet në orën 23:45 me orën lokale, kur të largohen vizitorët e fundit.

“Masa, e cila do të shpallet të martën, është kryesisht me vlerë simbolike. Ne do pakësojmë ndjeshëm kohën e ndriçimit të kullës pa ndikuar në funksionimin e saj, pa ndërhyrë tek vizitorët dhe klientët e restoranteve.” – citohet të ketë thënë Jean-Francois Martin, administratori i Shoqatës për Shfrytëzimin e Kullës Eiffel (SETE).

Martin theksoi se kursimi i energjisë ‘nuk do jetë fenomenal’, por do jetë një shembull për të tjerët.

Ndriçimi gjatë natës i monumentit, i cili vizitohet nga më shumë se 20,000 njerëz në ditë, thuhet se përbën 4% të konsumit të tij vjetor të energjisë.

Qytetet e tjera në të gjithë vendin po pakësojnë gjithashtu ndriçimin gjatë natës në vendet kryesore. Monumentet në Marsejë, përfshirë Pallatin Pharo, do fikin dritat më herët nga fundi i shtatorit, për të kursyer energji.