Vendosni fjalën kyçe....

BE dhe UNICEF dërgojnë 100 ton ndihma në Kongo pas shpërthimit të Ebolës



Bashkimi Evropian
dhe UNICEF kanë dërguar 100 ton ndihma humanitare në provincën Ituri të Republikës Demokratike të Kongos për të mbështetur përballimin e shpërthimit të Ebolës, përcjell Euronews.

Sipas UNICEF-it, ndihmat përfshijnë ilaçe thelbësore, pajisje mbrojtëse personale, materiale për parandalimin e infeksioneve, trajtime kundër kolerës dhe malaries, si dhe pajisje të tjera emergjente.

Ngarkesa humanitare u nis nga LiègeBelgjikë dhe pritet të ndihmojë rreth 100 mijë persona të prekur nga shpërthimi i virusit.

Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se situata përbën rrezik jo vetëm për rajonin dhe Kongon, por edhe për vendet fqinje.

Më 17 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli shpërthimin e fundit të virusit Ebola të tipit Bundibugyo si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.

Aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik për virusin Bundibugyo, por BE-ja ka kontribuar me 7.4 milionë euro për zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve në bashkëpunim me OBSH-në.

Që prej shpërthimit të parë të regjistruar në vitin 1976, Republika Demokratike e Kongos ka përjetuar 17 shpërthime të Ebolës, nëntë prej tyre vetëm gjatë 16 viteve të fundit.