
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një raport mbi lirinë e medias dhe pasqyrimin e aktorëve politikë në Shqipëri, duke iu referuar të dhënave të një analize të realizuar me inteligjencë artificiale.
Në postimin e tij në platformën “X”, Rama thekson se Shqipëria po bën hapa përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa shton se një pjesë e këtij procesi lidhet edhe me vlerësimin e mjedisit mediatik.
Sipas raportit të cituar nga kryeministri, në një analizë mbi më shumë se 100 mijë artikuj të monitoruar, rezulton se opozita ka një nivel më të lartë të dukshmërisë në media sesa qeveria, me 68.2% kundrejt 31.8%.
Rama shkruan se edhe në mediat e konsideruara si proqeveritare, opozita vijon të ketë më shumë hapësirë mediatike, ndërsa kritika ndaj qeverisë thuhet se tejkalon mbulimin pozitiv në raportin 5 me 1.
Ai e ka përdorur këtë analizë për të kundërshtuar tezën se në Shqipëri ekziston një “media e kapur”, duke argumentuar se të dhënat nuk e mbështesin këtë pretendim.
Kryeministri ndodhet në Bruksel, ku sipas tij Shqipëria pritet të ndërmarrë një hap të ri në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.