
Katër nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian po bëjnë presion për masa më të ashpra tregtare me qëllim mbrojtjen e industrisë evropiane kundrejt “rritjes së praktikave të pandershme tregtare”, në një kohë kur eksportet nga Kina kanë pësuar një rritje të hovshme.
Spanja, Franca, Italia dhe Holanda — të cilat historikisht kanë pasur mospajtime rreth politikave tregtare — qarkulluan një dokument të përbashkët me Lituaninë përpara një takimi kyç të Komisionit Evropian të premten mbi mënyrën se si duhet trajtuar Kina.
Disa nga partnerët kryesorë tregtarë të BE-së po “vendosin barriera të reja tregtare ose po kontribuojnë në mbikapacitet industrial sistemik dhe strukturor”, thuhet në dokument, pa përmendur emra specifikë vendesh. “Kjo situatë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në industrinë evropiane, e cila humbi 1 milion vende pune midis viteve 2019 dhe 2025.”
Megjithatë, komisionerët e BE-së e akuzojnë rregullisht Kinën për eksportimin e mbikapacitetit, dhe masat për mbrojtjen e tregtisë janë aktualisht në nivelin e tyre më të lartë në pothuajse 20 vjet.
Propozimet për përshpejtimin e tarifave dhe luftimin e evazionit
Dokumenti propozon mënyra për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë vendosjen e tarifave më të larta mbi importet dhe për të luftuar anashkalimin e rregullave. Aty thuhet se masat aktuale marrin shumë kohë dhe kanë një fushëveprim të ngushtë që shmanget lehtësisht nga kompanitë ose vendet, si për shembull “përmes përdorimit të një vendi të tretë ose duke u vendosur vetë brenda BE-së”.
Ai vë në dukje raste që përfshijnë bio-karburantet e SHBA-së dhe çelikun indonezian, dhe kërkon që rregullat për përmbajtjen lokale të shtrëngohen për të parandaluar vendet që të përdorin fabrika jashtë shtetit për të montuar produkte me qëllim shmangien e taksave.
Vendet nënshkruese duan që Komisioni të hulumtojë vendosjen e tarifave shtesë ndaj kompanive dhe jo ndaj produkteve apo vendeve për të goditur anashkalimin e rregullave, si dhe të punësojë më shumë zyrtarë për të trajtuar “prapambetjen” e ankesave nga industria.
Dokumenti bën thirrje për një përdorim më të madh të mjetit të fuqishëm të mbrojtjes (safeguards tool), i cili mund të aktivizohet shpejt nga një rritje e papritur e importeve dhe zbatohet për çdo partner tregtar. BE-ja e ka përdorur atë për të vendosur tarifa prej 50 për qind mbi çelikun mbi një kuotë të caktuar, gjë që ka zemëruar aleatët si Ukraina dhe MB.
Vendet pas këtij dokumenti thonë se duhet të ketë gjithashtu një “mjet të ri rezistence, i aktivizuar kur burimet evropiane të furnizimit janë të përqendruara përtej një pragu të caktuar. Ai mund të vendosë kuota ose tarifa shtesë për ata furnizues.”
Prodhuesit e BE-së janë përballur me ndërprerje pasi Pekini kufizoi furnizimet me disa minerale kritike dhe gjysmëpërçues (semiconductor), zona në të cilat ai dominon prodhimin. Ndërkohë, BE-ja dhe SHBA-ja kanë pezulluar disa shitje të mallrave të teknologjisë së lartë drejt Kinës.
Ndryshimi i qasjes dhe debati i brendshëm në BE
Dokumenti pasqyron një ndryshim të qasjes brenda BE-së, e cila ka qenë e ndarë nëse duhet ta sfidojë apo ta zbutë Pekinin lidhur me rritjen e eksporteve të mallrave të tij. Deficiti tregtar arriti në 360 miliardë euro në vitin 2025.
Franca ka kërkuar prej kohësh masa më të ashpra, me Presidentin Emmanuel Macron që sugjeroi të premten një mjet të stilit “Section 301” të modeluar sipas versionit të SHBA-së, i cili vendos tarifa ndaj vendeve që ndjekin “praktika të pajustifikueshme, të paimagjinueshme ose diskriminuese”.
Nga ana tjetër, Spanja ka kërkuar të tërheqë investime kineze dhe Holanda ka qenë skeptike për izolimin e industrisë nga konkurenca globale. Gjermania, e cila ka ekspozimin më të madh ndaj ekonomisë kineze, po zhvillon një debat të brendshëm për rishikimin e marrëdhënieve dhe ende nuk e ka nënshkruar dokumentin, shkruan FT.
Maroš Šefčovič, komisioneri i BE-së për Tregtinë, ka mbështetur përdorimin më të madh të masave mbrojtëse dhe po harton një plan për t’i bërë kompanitë në sektorët kyç të diversifikojnë furnizuesit përpara takimit të së premtes.
Pekini ka kërcënuar se do të hakmerret ndaj çdo mase të re që e vë atë në shënjestër.
Ministri francez i Tregtisë, Nicolas Forissier, tha për Financial Times se ai favorizonte një zgjidhje të negociuar me Kinën.
“Por as ne nuk jemi naivë. Dua të thëm se ne e dimë mjaft mirë që industria kineze prodhon mbikapacitete dhe se ato mbikapacitete janë gjerësisht të subvencionuara nga shteti… të riorientuara drejt eksporteve dhe ky është një problem i madh,” tha ai. “Këto marrëdhënie tregtare duhet të jenë të balancuara.”