
Alexis Tsipras e di mirë se duhet të tërheqë mbështetje përtej bazës së tij të mëparshme të majtë, nëse synon objektivin kryesor: të dalë i dyti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të bëhet pika e bashkimit për një pjesë të madhe votuesish të pakënaqur, të zhgënjyer ose të zemëruar me qeverinë konservatore.
Sigurisht, Tsipras e ka bërë këtë më parë, në periudhën 2010–2015, gjatë kulmit të krizës financiare në Greqi, kur e çoi partinë SYRIZA nga një forcë që kishte marrë nën 5% të votave në vitin 2009 në mbi 36% në vitin 2015. Ai praktikisht dobësoi ndjeshëm partinë socialiste PASOK që kishte qeverisur vendin për vite me radhë dhe madje tërhoqi edhe votues nga qendra e djathtë.
Pengesa më e madhe e Tsipras për ta përsëritur këtë sukses është vetë rekordi i tij në qeverisje, veçanërisht gjashtë muajt e parë kur u përpoq të përmbushte premtimet për të detyruar Bashkimin Evropian të braktiste masat e ashpra të kursimit, por më pas u tërhoq. Humbja e tij e thellë në vitin 2023 — kur opozita kryesore nuk kishte humbur kurrë më shumë se 13 pikë përqindjeje pas katër vitesh në opozitë — u pa si sinjal se votuesit nuk e kishin harruar qeverisjen e tij.
Megjithatë, politikani tashmë veteran mendon se ekziston një mundësi politike. Synimi i tij i menjëhershëm është të kalojë partinë PASOK dhe të dalë si përfaqësuesi kryesor i qendrës së majtë. Për këtë arsye, ai pritet që prezantimin e ri të partisë ta bazojë në konceptin e një “të majte patriotike”, që kombinon të kuqen dhe blunë, simbolet e së majtës dhe ngjyrat kombëtare, shkruan Ekathimerini.
Tsipras gjithashtu nuk pritet të pranojë kërkesat për koalicion të menjëhershëm nga ish-partia e tij dhe nga grupimi i shkëputur New Left. Sipas tij, ata ose do t’i bashkohen në kushtet e tij — përfshirë dorëheqjen e deputetëve nga mandatet — ose nuk do të ketë bashkim fare.