
Kryeprokurorja evropiane, Laura Kovesi, i ka thënë Komisionit Evropian se vendimet e fundit ligjore dhe gjyqësore të Greqisë po dëmtojnë aftësinë e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) për të vepruar në mënyrë efektive në Greqi.
Në një deklaratë, EPPO tha se Kovesi ka informuar Brukselin se një amendament ligjor grek i miratuar së fundmi, i cili prezanton një procedurë të posaçme për hetimin e krimeve që dyshohet se janë kryer nga politikanët, ka pasur një “efekt negativ” në kapacitetin e zyrës “për të hetuar dhe ndjekur penalisht në mënyrë efektive veprat penale nën kompetencën e saj”.
Ajo tha gjithashtu se këto masa kanë krijuar një “efekt të dëmshëm në funksionimin e pavarur dhe efektiv të EPPO-së në Greqi”.
Vitin e kaluar, EPPO nisi një sërë hetimesh mbi mashtrimet me subvencionet e BE-së për bujqësinë nga ana e fermerëve dhe zyrtarëve shtetërorë, duke përfshirë deputetë të partisë në pushtet, Demokracia e Re.
Kovesi ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me refuzimin e fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Greqisë për të rinovuar mandatet e tre Prokurorëve të Deleguar Evropianë për një afat pesëvjeçar, duke argumentuar se ky vendim “ka një efekt negativ në pavarësinë e EPPO-së në Greqi”.
Sipas EPPO-së, të dyja këto zhvillime “ngrenë dyshime serioze sa i përket pajtueshmërisë së autoriteteve greke me detyrimin e tyre për bashkëpunim të sinqertë” sipas Traktatit për Bashkimin Evropian.
Letra e Kovesi-t drejtuar Komisionit pason publikimin e korrespondencës së zhvilluar në fillim të kësaj jave me Ministrin e Drejtësisë, Giorgos Floridis, ku Kryeprokurorja Evropiane paralajmëron se projekti i masave ishte “qartësisht i papajtueshëm” me rregullat që qeverisin EPPO-në dhe me ligjin grek, shkruan Ekathimerini.