Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje demokratëve: Votoni në liri të plotë, procesi ‘një anëtar, një votë’ është forma më moderne



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje anëtarëve të PD-së që të marrin pjesë në votimin e nesërm për votëbesimin e kryetarit, duke e cilësuar procesin si një nga format më moderne të demokracisë së brendshme partiake.

Në një deklaratë për mediat, Berisha përshëndeti anëtarët e Partisë Demokratike dhe i ftoi të votojnë “në liri të plotë dhe sipas vullnetit të tyre”.

Sipas tij, sistemi “një anëtar, një votë” përfaqëson nivelin më të lartë të zgjedhjes apo konfirmimit të drejtuesve politikë dhe garanton përfshirje të gjerë të anëtarësisë në vendimmarrje.

“Procesi i zgjedhjes me një anëtar një votë apo i votëbesimit me një anëtar një votë, është forma më epërore”, u shpreh Berisha, duke shtuar se në shumicën e rasteve këto procese zhvillohen edhe me një kandidat të vetëm.

Ai deklaroi se gara mbetet e hapur për këdo që dëshiron të kandidojë, por sipas tij, shumë figura politike shmangin përballjen në procese të tilla për shkak të pasigurisë mbi rezultatin.

Berisha theksoi gjithashtu se demokratët duhet të ndihen krenarë që marrin pjesë në një proces që ai e cilësoi “më modernin aktualisht”, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë se kanë eliminuar garën e brendshme dhe votën nga funksionimi i partive të tyre.

Në fund të deklaratës, kreu i PD-së shprehu shpresën për një pjesëmarrje sa më të lartë të anëtarësisë në votimin e së nesërmes.