
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë zyrtare në Tokio, ku u prit me një ceremoni shtetërore në nder të tij.
Gjatë takimit, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi i uroi mirëseardhjen Ramës dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rolin e Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe partner i rëndësishëm në rajon.
Ajo deklaroi se Japonia do të vijojë të mbështesë reformat socio-ekonomike në Shqipëri dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian, në kuadër të nismave të bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor.
U theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në ekonomi dhe fusha të tjera, si dhe bashkërendimi në çështjet e sigurisë globale.
Nga ana e tij, Rama shprehu mirënjohje për pritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të qëndrueshme dhe me potencial për zgjerim.
Të dy palët diskutuan edhe për zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë situatën në Indo-Paqësor dhe luftën në Ukrainë, duke rënë dakord për vijimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në çështje me interes të përbashkët.