Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin kundër sulmeve kibernetike, ekspertët amerikanë trajnojnë Komandën shqiptare


Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, ndërsa ish-ekspertë të Komandës Kibernetike amerikane po bashkëpunojnë me strukturat shqiptare për rritjen e sigurisë dixhitale.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila njoftoi se specialistët amerikanë po punojnë me Komandën Kibernetike shqiptare për identifikimin e sistemeve kritike dhe ndërtimin e operacioneve të qëndrueshme të sigurisë kibernetike.

Sipas ambasadës, javën e kaluar në Qendrën e Inovacionit për Siguri dhe Mbrojtje, Universiteti për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri zhvilloi bashkëpunim me specialistët shqiptarë të sigurisë kibernetike për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së orientuar drejt misionit.

Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale thuhet se ekspertët amerikanë po asistojnë autoritetet shqiptare për ndërtimin e strukturave më të forta dhe më të qëndrueshme përballë kërcënimeve moderne në hapësirën kibernetike.

“Ish-ekspertë të Komandës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara po punojnë me Komandën Kibernetike të Shqipërisë për të identifikuar sistemet kritike dhe për të ndërtuar operacione kibernetike të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ambasada amerikane theksoi se ky bashkëpunim është pjesë e angazhimit të përbashkët mes dy vendeve për forcimin e sigurisë rajonale dhe partneritetit në mbrojtje.

“Ky bashkëpunim forcon angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë rajonale dhe demonstron partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në mbrojtje kundër kërcënimeve moderne”, theksohet më tej në njoftim.