Vendosni fjalën kyçe....

“Të gjithë njëzëri”- Shkupi në protestë për të drejtën e gjuhës shqipe, mbështeten nga gjithë rajoni


Mijëra studentë shqiptarë pritet të mblidhen këtë të hënë në Shkup në një protestë kundër moslejimit të zhvillimit të provimit të drejtësisë në gjuhën shqipe. Tubimi do të nisë në orën 16:30 pranë Urës së Gurit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në mbrojtje të të drejtave gjuhësore.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë, pas refuzimit të kërkesës së tyre nga Ministria e Drejtësisë.

 2 ditë para protestës, Çlirim Iseni një nga organizatorët e protestës së paralajmëruar, ka reaguar pas disa pamjeve që tregojnë një paradë të një formacioni të policisë speciale në lagjet urbane të Kumanovës, ku shihen forcat speciale maqedonase teksa kryejnë stërvitjen në rrugë dhe thërrasin: “Këtu ka vetëm Maqedoni, le ta mësojnë të gjithë”.

“Dy ditë para protestës së studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe, një tog i policisë speciale të RMV-së parakalon me brohoritje nacionaliste nëpër Kumanovë.

Pyetja që lind është nëse kjo është një rastësi apo një paralajmërim. Përgjigjja jonë është e qartë: ‘ne do të vazhdojmë çdo formë paqësore dhe demokratike për realizimin e së drejtës sonë legjitime – Gjuha shqipe zyrtare.

Kohezionin ndëretnik shpesh e kanë rrezikuar pikërisht ata që duhet ta kultivojnë – shteti.

Le të kujdesemi për një shtet të ndershëm dhe demokratik për të gjithë, duke ruajtur orientimin Euro-Atlantik të vendit. Shqipja do të bëhet, se s’bën ndryshe”

Në një reagim publik, Iseni ngriti dyshime nëse kjo paradë me brohoritje nacionaliste ishte një rastësi apo një mesazh kërcënues ndaj studentëve dhe organizimit të protestës.

Protesta ka marrë mbështetje edhe nga figura publike dhe politike në rajon. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur mbështetjen për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët do të protestojnë për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

Në reagimin e tij, Haradinaj theksoi se gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe pjesë e identitetit të shqiptarëve, ndërsa kërkesat e studentëve i cilësoi si kërkesa për dinjitet, barazi dhe respekt.

“Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët. Ajo ka mbijetuar brez pas brezi, në familje, në shkolla, në këngë e në sakrifica.

Shqipja është e garantuar me Kushtetutë dhe me të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për të folur shqip në vendin e vet, për të studiuar shqip, për të shkruar, menduar dhe për të marrë frymë shqip pa frikë e pa kompromis.

Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.

Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë”, shkruan Haradinaj.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza reagoi një ditë para protestës së 18 majit në Shkup, duke theksuar se kërkesa e studentëve lidhet me mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve.

“Zëri i studentëve shqiptarë në Shkup nesër është zëri i një brezi që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin e vet kombëtar. Jam gjithmonë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij. Jemi me ju”, deklaroi ai.

Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët më 18 maj do të protestojnë për të drejtën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ajo theksoi rëndësinë që ka gjuha shqipe për identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke kujtuar sakrificat e bëra ndër breza për ruajtjen e saj.

“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, thuhet në videon e shpërndarë prej saj në Instagram.

Edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Meidani ka publikuar vargje nga poema “Gjuha Shqype” e poetit Gjergj Fishta.

Këngëtarja Shkurte Fejza ka shprehur mbështetjen për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët do të protestojnë për të drejtën e zhvillimit të provimeve në gjuhën shqipe.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fejza theksoi se gjuha shqipe është identitet dhe një e drejtë themelore e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Të dashur studente shqiptarë ne Maqedonine e Veriut

Zëri juaj për gjuhën shqipe është zë për dinjitet, identitet dhe të drejta njerezore.

Gjuha ametare nuk është privilegj, është e drejtë themelore.

Ju mbështesē me zemër në kërkesën tuaj, që gjuha shqipe të trajtohet me barazi.

Rinia gjithmonë ka qenë forca që ka lëviz historinë përpara,prandaj qëndroni të bashkuar, të qetë, dinjitoz në protestën tuaj. Ai që punon për vendin e vet është i bekuar nga Zoti”, ka shkruar ajo.

Në mbështetje të studenteve ka reaguar edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi kauzën e studentëve si një të drejtë themelore dhe çështje dinjiteti njerëzor.

“Ka momente në histori kur një popull nuk kërkon privilegje. Nuk kërkon favore. Kërkon vetëm të drejtën për të qenë vetvetja.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejta që nuk mund të zhbëhen, nuk mund të relativizohen dhe nuk mund t’u hiqen nga askush.

Kur takova Mevlanin para disa javësh në Tiranë, pashë tek ai jo zemërimin e një njeriu të revoltuar, por qetësinë dhe dinjitetin e një patrioti që lufton për diçka themelore: të drejtën për gjuhën amtare. Për të drejtën që një njeri të flasë gjuhën e nënës së tij pa frikë, pa paragjykim dhe pa u ndjerë i huaj në vendin e vet.

Sepse gjuha nuk është vetëm komunikim. Është kujtesë. Është identitet. Është historia që një popull ua lë brezave. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohen si qytetarë pa identitet dhe pa rrënjë.

Europa që ne besojmë nuk ndërtohet duke heshtur përballë padrejtësive të vogla që me kohën bëhen plagë të mëdha. Integrimi europian nuk mund të jetë një fasadë që fsheh rrëshqitje drejt nacionalizmit apo cenimit të të drejtave themelore.

Prandaj mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike. Është një çështje dinjiteti njerëzor. Dhe protesta për këtë të drejtë është jo vetëm legjitime, por e drejtë.

Një të drejtë që e mbështes me bindje të plotë” shkruan Tabaku.

Ish kryeministri shqiptar dhe ish deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko theksoi se studentët po kërkojnë një të drejtë themelore, përdorimin e gjuhës shqipe në provime, duke e cilësuar absurde që studimet të zhvillohen në shqip, ndërsa provimet të jepen në maqedonisht.

“Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore, e djemve dhe vajzave të shqiptarisë! Studentët shqiptarë kërkojnë  të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare! Ata kërkojnë që gjuha e provimit në jurisprudencë të jetë në gjuhën shqipe! Të studjosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive!”, shkruan ai.

Në Samitin e Diasporës në Tiranë një nga shqetësimet kryesore që u adresua është sfida me të cilën po përballet gjuha shqipe në rajon, referuar tensioneve dhe përplasjeve në Maqedoninë e Veriut  

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e adresoi këtë çështje që në nisje të punimeve të samitit me një mesazh të rëndësishëm.

“Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë atëherë përgjegjësia është vetëm e jona.

Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare”, tha Hoxha.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se po rrezikohet seriozisht zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, si dokumenti që garanton bashkëjetesën etnike në vendin fqinj dhe të drejtat e shqiptarëve si komb shtetformues.

“Sa i takon gjuhës shqipe në Maqedoni, është një rrezik i vërtetë që duhet t’i dalin zot të gjithë gjuhës që e flasin të gjithë Çdo koment tjetër është vetëm për ta gërryer përfundimisht marrëveshjen e Ohrit dhe për t’i ndryshuar karakterin. Përgjegjësinë e kemi të përbashkët. Maqedonia ka ardhmëri në bashkëjetesë, bashkëqeverisje vetëm me shqiptarët. Pa shqiptarët, nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara”, u shpreh Ahmeti.

Edhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kërkoi bashkëpunimin e të gjithë faktorit shqiptar në rajon për të mbrojtur të drejtën e fituar të shqiptarëve që njeh zyrtarisht gjuhën shqipe.

“Duhet të jemi unik në mbrojtje të të drejtave tona. Duhet të jemi të gatshëm të mbështesim shqiptarët në mbrojtjen e të drejtave që kanë arritur.

Të drejtat që janë arritur nuk mund të devastohen. Duhet  të marrim masa nga politika, nga OJF-të, universitetet si të mbrohen ato të drejta.

Nëse nuk do bashkëpunojmë do shkojmë në konflikt. Mali i Zi e ka ndier në lëkurë. Të bashkëpunojmë të gjithnjë, pa shqiptarët në rajon nuk ka progres”, tha Abazoviç.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti në takim Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ku u diskutua për të drejtat e shqiptarëve në vendin fqinj dhe çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.

Begaj theksoi se Marrëveshja e Ohrit dhe përfaqësimi adekuat i shqiptarëve duhet të zbatohen, ndërsa i kërkoi zgjidhje për kërkesën e studentëve të Jurisprudencës që provimet të zhvillohen në gjuhën shqipe.

“Unë uroj që studentëve që protestojnë për dhënien e provimit në gjuhën shqipe t’u lejohet kjo e drejtë dhe të rregullohet ky mekanizëm në mënyrë ligjore e të drejtë”, – u shpreh Presidenti Begaj.

“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një shtet multietnik bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet etnive janë shumë të rëndësishme.

Garantimi institucional me kornizë ligjore detyruese i të drejtave të fituara dhe jo produkt i balancave të rastësishme është një garanci më shumë per avancimin real të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt proceseve integruese në BE”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha