Vendosni fjalën kyçe....

Aksioni i IMT-së për prishjen e dy pishinave në ‘Prestige Resort’, çfarë ka ndodhur deri tani, përplasjet e reagimet


Mëngjesin e sotëm fadromat e IMT-së shkuan në kompleksin turistik ‘Prestige Resort’ për të prishur dy pishina.

E shoqëruar nga punonjësit e policisë, IMT-ja vijoi aksionin përkundër reagimit të fortë nga ana e drejtuesve dhe stafit të kompleksit turistik në fjalë, në pronësi të ‘Hysenbelliu Group’ që ka si pjesë të tij edhe mediat News24, BW e Panorama.

Aksioni shkaktoi reagim të fortë si nga biznesi e grupi mediatik i lartpërmendur, ashtu edhe nga krerët e partive të opozitës Berisha e Meta si dhe deputetë të PD-së e PL-së.

Ata e konsideruan aksionin sulmin të paligjshëm, shantazh e kërcënim ndaj medias së lirë e demokracisë aksionin e IMT-së si dhe goditje ndaj biznesit e imazhit të vendit.

Një dokument i nxjerrë nga përfaqësuesit ligjorë të biznesit si dhe News24 tregon sipas tyre se aksioni i IMT-së është i paligjshëm. Në dokument është një hartë e një leje që mban firmën e Ramës.

Kësaj deklarate i është përgjigjur menjëherë Ministria e Brendshme sipas së cilës dokumenti në fjalë i nxjerrë nga biznesi e media tregojnë të kundërtën e asaj që thuhet e është manipulim i opinioni publik.

Në reagimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se dokumenti në fjalë tregon se leja në fjalë është me kushte dhe se biznesi në fjalë as nuk i kishte përmbushur kushtet e përcaktuara dhe as nuk kishte paguar detyrimet e taksave.

“Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.  Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit.  Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse. Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave.” – thuhet në reagimin e ministrisë.

Në një deklaratë pak pas nisjes së aksionit për prishjen e dy pishinave, zv.presidentja e ‘Focus Media’ pjesë e të cilit janë News24, BW e Panorama, Fabiola Hysenbelliu tha se kryeministri Edi Rama e kishte planifikuar aksionin e sotëm duke e denoncuar atë së më herët ishte përpjekur të negociojë linjën editoriale të News24 e Panorama, kundërshtimi i së cilës sipas saj solli edhe aksionin e sotëm.

Në foto: Fabiola Hysenbelliu

“Kjo situatë ishte e planifikuar nga zoti Edi Rama. Ai është mundur të negociojë për editorialin e Neës24 dhe Panorama. Ne jemi këtu për t’i thënë; ne nuk ndryshojmë editorialin. Kjo që po bën ti nuk na mposht. Ne nuk mposhtemi me fadroma dhe Dallëndyshet. Shteti te ne është kthyer në privat dhe jo në shtet. Ta dëgjojë mirë sot Edi Rama. Këtë që po bëjë sot, do ta mbajë mend, ai dhe stafi i tij që po shkelin ligjin dhe gjykatat. Gjithçka është firmosur nga ai. Edi Rama nuk mund të na mposhtë ne.” – deklaroi ajo.

Përfaqësuesja ligjore e kompanisë deklaroi se aksioni i IMT-së ishte i paligjshëm duke paralajmëiuar se çështja tashmë do shkonte në prokurori e gjykata.

Sipas saj edhe pse biznesi në fjalë i ka të gjitha dokumentet e rregullta, sërish kjo nuk e ndaloi qeverinë që të ndërhyjë.

“Me bandat e qeverisë Rama nuk merresh vesh as me dokumente as me fjalë dhe as me ulëritura. Sot na erdhi vendimi. Në datën 25 të muajit gusht kemi pasur një inspektim të befasishëm dhe është lënë një raport i paligjshëm. Ky nuk është një hotel i ri. Kontrata fillestare ka qenë në 1996. ‘Hysnebelliu Group’ ndjek me përpikmëri të gjitha procedurat ligjore. Në 25 gusht na vjen grupi i inspektimit na thotë që janë pa leje. I kemi thënë jo zotëri. Ky është harta. Sot vijnë edhe prishin. Vendim ka ardhur para gjysmë ore ndërsa këtu ka që në 8 të mëngjesit makineri. Fakti është se me 25 vjen grupi inspektimi dhe me datë 26 është prishja. S’na kanë lënë kohë për afate ligjore. Do shkojmë në gjykatë.” – tha ajo.