Vendosni fjalën kyçe....

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë nesër


Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do protestojnë nesër duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Nisma organizohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zë”, shkruan Alsat.

Protesta do fillojë në orën 16:30 para Urës së Gurit, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje artistëve, sportistëve dhe figurave të tjera publike që të ju bashkëngjiten.

“Të nderuar sportistë, artistë dhe figura publike, ju që me sukseset, talentin dhe punën tuaj keni bërë krenar çdo shqiptar, sot studentët kanë nevojë për zërin dhe mbështetjen tuaj. Kjo protestë nuk është kundër askujt. Është protestë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave tona si qytetarë të barabartë. Të hënën, më 18 Maj, në ora 16:30, duke filluar nga Ura e Gurit në Shkup, ejani të protestojmë bashkë. Në krah të studentëve, në krah të shqiptarëve”, thonë studentët shqiptarë

-Studentët kanë nevojë për mbështetjen tuaj

-Protestë për mbrojtjen e gjuhës shqipe

-Ejani të protestojmë së bashku.”

Protesta e nesërme është e dyta dhe vjen pas kundërshtimit të kërkesës së tyra nga ana e ministrit të Drejtësisë. Nga ana tjetër kryeministri Mickoski ka njoftuar se po shqyrtohen mënyra për të adresuar kërkesën e studentëve shqiptarë, që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.