
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një armëpushim tre-ditor, i cili do të pasohet nga një shkëmbim i madh të burgosurish mes dy vendeve, përcjell Euronews.
Sipas Trump, armëpushimi do të zbatohet më 9, 10 dhe 11 maj, në të njëjtën periudhë kur Kremlini organizon paradën ushtarake të Ditës së Fitores në Moskë.
“Ndalimi i luftimeve do të përfshijë pezullimin e të gjitha aktiviteteve ushtarake, si edhe shkëmbimin e 1 mijë të burgosurve nga secila palë”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke shtuar se kërkesa ishte bërë drejtpërdrejt prej tij dhe ishte pranuar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Ndërkohë, Zelenskyy firmosi një dekret presidencial ku lejohet zhvillimi i paradës në Moskë më 9 maj, por me kufizime të qarta.
Sipas dekretit, armëpushimi do të nisë të shtunën në orën 10:00 sipas kohës së Kievit dhe do të zbatohet vetëm për zonën e Sheshit të Kuq në Moskë, e cila do të përjashtohet nga objektivat e operacioneve ushtarake ukrainase.
Në prag të paradës, Rusia ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë në Moskë, nga frika e sulmeve me dronë nga Ukraina. Mediat raportojnë se Kremlini ka zhvendosur sisteme të mbrojtjes ajrore nga rajone të tjera drejt kryeqytetit rus për të garantuar sigurinë gjatë ceremonisë.
Autoritetet në të paktën 11 rajone ruse kanë anuluar festimet publike për arsye sigurie, ndërsa aktivitete janë anuluar edhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia.