Vendosni fjalën kyçe....

Protesta nën rrethim, Berisha: Skënder Hita s’na futi dot në kurth, shkuam vetë drejt kordonit


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është drejtuar mbështetësve të tij pas bllokimit të marshimit protestues në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pavarësisht motit të keq dhe kordonit të rreptë policor që pengoi lëvizjen e pjesëmarrësve jashtë perimetrit të caktuar, Berisha e cilësoi aksionin si një dëshmi të “fytyrës së vërtetë të narkoregjimit”.

Lideri demokrat hodhi poshtë pretendimet se policia kishte zënë në “kurth” protestuesit, duke deklaruar se opozita ishte në dijeni të planit të masave dhe vendosi të përballej me rrethimin si pjesë e strategjisë së saj.

“Nëse ai [Skënder Hita] mendoi se na bëri kurth, gaboi. Ne e dinim që na kishte bllokuar rrugën, e kishim marrë vesh përpara. Kishim disa rrugë të tjera, por shkuam vetë drejt rrethimit. Ne kemi një strategji paqësore, por strategjia jonë është e të pamposhturve,” tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha shpërtheu në akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku, të cilën e etiketoi si “Lubi Balluku”, duke kërkuar largimin e tyre nga pushteti dhe përballjen me ligjin për akuzat e vjedhjes së pasurive publike.

“Nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës. Jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve: ja të vdesim, ja të rrojmë për liri. Asgjë nuk do të mund të na mposhtë pa nisur në burg Lubi Ballukun dhe pa dërguar para ligjit kriminelin Edi Rama.”

Berisha paralajmëroi Drejtorin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, se do të mbajë përgjegjësi për ndalimin e zhvillimit të një proteste që ai e cilësoi si paqësore. Sipas tij, as “terrori policisë” dhe as moti nuk do t’i dekurajojnë qytetarët në atë që ai e quan kryengritje kundër mafies në pushtet.