Një nga personat e përfshirë në konfliktin e armatosur të ndodhur një natë më parë në Sarandë është vetëdorëzuar në polici, ndërsa ngjarja ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së një 66-vjeçari.
Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Kostandin Vogli, banues në zonën e Himarë, i cili është paraqitur vetë në polici rreth tre orë më parë. Ai ishte i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe fillimisht ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Sarandës.
Gjatë qëndrimit në spital, i riu është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes, ndërsa pritet të transferohet drejt Vlorë për trajtim më të specializuar dhe për arsye sigurie.
Sipas të dhënave paraprake, Vogli dyshohet se kishte një konflikt me një tjetër person, çka ka çuar në përshkallëzimin e situatës. Ai dyshohet se ka thirrur persona të tjerë pasi ka identifikuar kundërshtarin në lokalin e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ku më pas ka nisur një përplasje fizike me sende të forta që degjeneroi në shkëmbim zjarri.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Vogli është plagosur nga të shtënat me kallashnikov nga vetë Ismaili, ndërsa më pas një nga të rinjtë e përfshirë ka hapur zjarr me pistoletë duke i marrë jetën 66-vjeçarit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë konflikt të armatosur.
