Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: 490 mijë pensionistë jetojnë me thërrime, kushte më të vështira se në socializëm


Gjatë një tryeze të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, lideri i opozitës Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për gjendjen ekonomike të moshuarve.

Sipas Berishës, rreth 490 mijë pensionistë në Shqipëri marrin pensione të pjesshme, çka i detyron ata të bëjnë një jetë që, në disa aspekte, është më e vështirë se ajo e periudhës së socializmit.

Kreu i PD-së argumentoi se “indeksimi” që bën qeveria është një mashtrim statistikor, pasi nuk merr parasysh rritjen reale të çmimeve të shportës bazë, e cila është jetike për këtë kategori.

“Thuhet se inflacioni është 2%, por inflacioni i ushqimeve mund të jetë 15%. Pensionisti të gjitha të ardhurat i shpenzon për ushqime dhe ilaçe. Me çmimet e sotme, ata marrin thërrime dhe bëjnë një jetë më të vështirë se në socializëm, ku me ato çmime simbolike blinin ato që ishin.”

Berisha bëri një krahasim me vitin 2013, duke pretenduar se në atë kohë Shqipëria kishte pensionet më të larta në rajon, ndërsa sot ka mbetur pas vendeve si Serbia apo Maqedonia e Veriut.

Ai e cilësoi qëndrimin e qeverisë si “cinizëm të pashembullt” që po i zhyt të moshuarit në mjerim të skajshëm.

“Nuk ka shpërndarje më të pabarabartë të ardhurash se kjo. Çmimet u bënë më të shtrenjta se në Itali e Gjermani, ndërsa pensionistët mbetën në vendnumëro. Ky është një mjerim i prodhuar direkt nga duart e qeverisë.”

Sipas liderit demokrat, dyfishimi i taksave dhe rritja e papërgjegjshme e çmimeve të tregut kanë bërë që pensioni minimal të mos mbulojë as nevojat më bazike të jetesës dhe kujdesit shëndetësor.