Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në samitin europian, Metsola përballet me presidentin e Azerbajxhanit


Tensione diplomatike janë regjistruar në samitin e Komunitetit Politik Europian në Jerevan, ku presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, u përplas me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Gjatë fjalës së tij, Aliyev akuzoi Parlamentin Europian për “shpërndarje shpifjesh dhe gënjeshtrash” ndaj Azerbajxhanit, duke e cilësuar qasjen e institucionit si një “obsesion” dhe duke njoftuar pezullimin e bashkëpunimit me të në të gjitha fushat, përcjell Euronews.

Ai shtoi gjithashtu se eurodeputetët po veprojnë sikur duan të “sabotojnë” procesin e paqes me Armeninë, të ndërmjetësuar nga SHBA pas konfliktit për Nagorno-Karabakh.

Menjëherë pas kësaj deklarate, Metsola mori fjalën për një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë, duke mbrojtur rolin e Parlamentit Europian.

“Parlamenti Europian është një organ demokratik i zgjedhur drejtpërdrejt. Ne e kuptojmë që vendimet tona mund të jenë të pakëndshme për disa, por nuk do të ndryshojmë mënyrën tonë të punës”, u shpreh ajo.

Burime nga Parlamenti Europian bëjnë me dije se deklaratat e Aliyevit nuk ishin të planifikuara, çka detyroi Metsolën të ndërhyjë për të sqaruar qëndrimin e institucionit.

Samiti në Jerevan, që mbledh liderë nga rreth 50 vende europiane, konsiderohet një platformë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve diplomatike në rajon, veçanërisht mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Përplasja mes dy liderëve vjen në një kohë kur Parlamenti Europian ka miratuar disa rezoluta kritike ndaj Azerbajxhanit, duke ngritur shqetësime për çështje si të drejtat e njeriut dhe situata pas konfliktit në rajon.