Vendosni fjalën kyçe....

Tre të vdekur nga një shpërthim i dyshuar virusi në një kroçerë në Atlantik, një britanik në gjendje kritike


Tre persona kanë humbur jetën dhe një shtetas britanik ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pas një shpërthimi të dyshuar të virusit hantavirus në një anije turistike në Oqeanin Atlantik.

Ngjarja ka ndodhur në bordin e anijes MV Hondius, e operuar nga kompania holandeze Oceanwide Expeditions, e cila ishte në itinerar nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër.

Sipas kompanisë, viktimat janë një çift nga Holanda dhe një shtetas gjerman, ndërsa shkaqet e vdekjeve nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht, sipas BBC.

Ndërkohë, një shtetas britanik 69-vjeçar është diagnostikuar me hantavirus dhe ndodhet në terapi intensive në Johannesburg, Afrikën e Jugut, në gjendje kritike por të stabilizuar.

Hantavirusi është një virus që zakonisht transmetohet nga brejtësit përmes urinës, pështymës apo feçeve të tyre dhe mund të shkaktojë sëmundje të rënda respiratore. Në raste të rralla, ai mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

Në bord ndodhen 149 persona, ndërsa dy anëtarë të ekuipazhit , një britanik dhe një holandez, kanë shfaqur simptoma respiratore, njëri në gjendje të lehtë dhe tjetri në gjendje më të rëndë. Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse ata janë infektuar me të njëjtin virus.

Kompania ka bërë të ditur se po bashkëpunon me autoritetet lokale, ndërsa situata është cilësuar si “serioze” dhe janë duke u zhvilluar negociata për menaxhimin e emergjencës shëndetësore.

Sipas një kronologjie të ngjarjeve, rasti i parë i vdekjes është regjistruar më 11 prill, ndërsa viktima e dytë – bashkëshortja e tij – ka ndërruar jetë më vonë pas zbritjes nga anija. Rasti i tretë është shënuar më 27 prill, kur një tjetër pasagjer u sëmur rëndë dhe u transportua për trajtim, ndërsa një viktimë tjetër u konfirmua gjatë fundjavës.

Autoritetet shëndetësore vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse vdekjet janë të lidhura me shpërthimin e dyshuar të hantavirusit.