Vendosni fjalën kyçe....

Finalizohet operacioni “The Wanted”, kapet në Spanjë 26-vjeçari i kërkuar për kultivim masiv të kanabisit



Është finalizuar një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “The Wanted”, si rezultat i të cilit është arrestuar në Spanjë dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas të dhënave zyrtare, i riu akuzohet për kultivimin e 10 900 bimëve narkotike dhe ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet dyshohet se gjatë vitit 2023, në fshatin Kir të njësisë administrative Pult, si dhe në zona të tjera pranë fshatit Theth, në qarkun e Shkodrës, shtetasi në fjalë, në bashkëpunim me persona të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, ka kultivuar një numër të madh bimësh të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.