Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se afati ligjor 60-ditor për marrjen e miratimit nga Kongresi për luftën me Iranin është “pezulluar”, duke argumentuar se aktualisht palët ndodhen në një armëpushim.
Gjatë një seance dëgjimore në Senat, Hegseth u shpreh se administrata amerikane e konsideron armëpushimin si një faktor që ndalon rrjedhjen e afatit.
“Ne jemi në një armëpushim tani, dhe sipas kuptimit tonë kjo do të thotë që afati 60-ditor ndalet ose pezullohet”, deklaroi ai.
Sipas ligjit amerikan, presidenti duhet të ndërpresë përdorimin e forcave ushtarake brenda 60 ditësh nga njoftimi i Kongresit, nëse nuk merr autorizim për vazhdimin e operacioneve. Ky afat lidhet me njoftimin që presidenti Donald Trump bëri më 2 mars për sulmet ndaj Iranit.
Megjithatë, ky interpretim u kundërshtua nga senatori demokrat Tim Kaine, i cili theksoi se ligji nuk e mbështet një interpretim të tillë.
“Nuk besoj se ligji e mbështet këtë. Mendoj se afati 60-ditor përfundon dhe kjo do të krijojë një çështje të rëndësishme ligjore për administratën”, u shpreh ai.
Ligji për kompetencat e luftës, i miratuar në vitin 1973, kërkon që presidenti të ndalojë operacionet ushtarake brenda këtij afati, përveç rasteve kur Kongresi jep autorizim ose një shtyrje të kufizuar për tërheqjen e trupave.
Nga ana tjetër, zyrtarë të administratës Trump kanë deklaruar se armiqësitë me Iranin janë ndërprerë, duke theksuar se armëpushimi është në fuqi që nga fillimi i prillit dhe se nuk ka pasur shkëmbim zjarri që prej 7 prillit.
Pavarësisht armëpushimit, një marrëveshje afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit nuk është arritur ende, ndërsa përpjekjet diplomatike për të zgjidhur konfliktin vazhdojnë.
