
Një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike të vitit 2026 pritet të jetë vizita e presidentit amerikan Donald Trumpnë Pekin, ku ai do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, përcjell Reuters.
Sipas raportimeve, çështja e Tajvanit do të jetë në krye të agjendës së bisedimeve, një ndryshim i dukshëm nga takimet e mëparshme, ku kjo temë ishte lënë në plan të dytë.
Autoritetet kineze e konsiderojnë Tajvanin si një interes thelbësor kombëtar, duke theksuar se çdo mbështetje për pavarësinë e tij bie ndesh me stabilitetin në rajon. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e njohur si “një Kinë”, duke mos e mbështetur zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit, por duke ruajtur angazhimin për ta ndihmuar në vetëmbrojtje.
Ekspertët vlerësojnë se edhe një ndryshim i vogël në qëndrimin amerikan mund të ketë ndikim të madh në balancën ushtarake dhe politike në Paqësorin Perëndimor, për shkak të rolit strategjik të Tajvanit, veçanërisht në industrinë globale të gjysmëpërçuesve.
Ndërkohë, autoritetet në Tajvan po ndjekin me kujdes zhvillimet, duke kërkuar garanci të vazhdueshme nga Uashingtoni për mbështetjen ndaj sigurisë së ishullit.
Takimi i pritshëm mes Trump dhe Xi Jinping shihet si një moment kyç për marrëdhëniet SHBA–Kinë dhe për të ardhmen e stabilitetit në rajonin e Azisë Lindore.