Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni: Lufta e SHBA ndaj Iranit ka kushtuar deri tani 25 miliardë dollarë


Lufta e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Iranit ka kushtuar deri më tani rreth 25 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të parë zyrtar të bërë publik nga një zyrtar i lartë i Pentagonit.

Shifra u bë e ditur gjatë një dëshmie në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, ku zyrtari financiar në detyrë, Jules Hurst, sqaroi se pjesa më e madhe e kostove lidhet me municionet e përdorura në operacionet ushtarake, përcjell Reuters.

Megjithatë, ai nuk dha detaje nëse kjo shumë përfshin edhe kostot e ardhshme për rindërtimin dhe riparimin e bazave ushtarake në Lindjen e Mesme, të dëmtuara gjatë konfliktit.

Reagimi i ligjvënësve nuk mungoi. Deputeti demokrat Adam Smith, një nga figurat kryesore në komitet, u shpreh: “Jam i kënaqur që më në fund morëm një përgjigje, sepse kemi kohë që e kërkojmë këtë shifër”.

Konflikti, i nisur më 28 shkurt, vijon aktualisht nën një armëpushim të brishtë, ndërsa SHBA ka dislokuar dhjetëra mijëra trupa shtesë në rajon dhe ka mbajtur tre aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme.

Bilanci njerëzor për SHBA-në përfshin 13 ushtarë të vrarë dhe qindra të plagosur.

Ndërkohë, lufta ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonomi. Ndërprerjet në furnizimin me naftë dhe gaz kanë çuar në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe produkteve bujqësore, duke shtuar presionin mbi konsumatorët amerikanë.

Këto zhvillime po reflektohen edhe në opinionin publik. Sipas sondazheve të fundit, mbështetja për konfliktin ka rënë ndjeshëm, duke ndikuar negativisht në popullaritetin e Donald Trump, ndërsa vendi po i afrohet zgjedhjeve të mesmandatit.