Vendosni fjalën kyçe....

PDK pas vendimit për zgjedhje të reja në Kosovë: Republika u mbrojt sot, tani është radha e qytetarëve



Partia Demokratike e Kosovës
ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke vlerësuar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit është shmangur një shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Në një deklaratë zyrtare, PDK thekson se përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet dhe rendi kushtetues, sipas saj, janë mbrojtur.

Partia opozitare mban përgjegjës pushtetin aktual për krizën politike, duke e cilësuar atë si shkaktar të krizave të njëpasnjëshme, keqqeverisjes dhe shpërdorimit të besimit të qytetarëve.

Sipas PDK-së, në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tashmë në një proces të ri zgjedhor. Në këtë kuadër, i bëhet thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të lirë dhe demokratik.

PDK u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje dhe përmes votës së tyre të refuzojnë, sipas saj, logjikën e përçarjes dhe bllokadës institucionale.

Në përfundim, kjo forcë politike thekson se Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, stabilitet dhe institucione funksionale, duke nënvizuar se “Republika u mbrojt sot, tani është radha e qytetarëve”.