Vendosni fjalën kyçe....

Sllovakia dëbon tre diplomatë rusë


Ministria e Jashtme e Sllovakisë thotë se ka vendosur të dëbojë tre diplomatë rusë pas një kërkesë të ardhur nga shërbimet e inteligjencës së vendit.

Ministria tha se vendimi u mor të hënën dhe diplomatët e vendosur në ambasadën ruse në kryeqytetin e Bratislavës kanë 72 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Në njoftim thuhet se veprimtaria e tyre shkel Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

Ministria tha se i ka kërkuar gjithashtu fuqimisht ambasadës ruse të sigurohet që aktivitetet e diplomatëve të tyre të jenë në përputhje me konventën. Hollësi të mëtejshme nuk janë dhënë nga asnjëra pale.

Dëbimi vjen teksa Rusia ka nisur prej tre javësh një sulm ndaj Ukrainës ndërsa SHBA e BE-ja dhe disa vende të tjera kanë vendosur sanksione të shumta ndaj Rusisë.