Ministri rus i Mbrojtjes, Andrey Belousov, ka zhvilluar bisedime në Phenian me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, transmeton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se Belousov dhe Kim diskutuan gjendjen dhe perspektivat e bashkëpunimit ushtarak mes Moskës dhe Phenianit.
“Ne kemi rënë dakord me Ministrinë e Mbrojtjes të Koresë së Veriut që bashkëpunimin ushtarak ta vendosim mbi baza të qëndrueshme dhe afatgjata. Jemi të gatshëm të nënshkruajmë këtë vit Planin për Bashkëpunimin Ushtarak Rusi-Kore për periudhën 2027–2031”, tha Belousov.
Ministri rus theksoi se ishte “një nder i madh” për të të takohej me liderin koreano-verior dhe e falënderoi atë për “mikpritjen tradicionalisht të ngrohtë” ndaj delegacionit rus në Phenian.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore ruso-koreane janë në një nivel të paprecedentë. Viti aktual premton të jetë po aq i ngarkuar sa i përket kontakteve dypalëshe në një sërë fushash”, tha Belousov.
Ai shtoi se Moska e vlerëson shumë vendimin e liderit të Koresë së Veriut për të ftuar delegacionin ushtarak rus në hapjen e muzeut dhe kompleksit memorial kushtuar veprave luftarake të ushtarakëve koreanë jashtë vendit.
“Është një nder dhe privilegj i madh për ne të marrim pjesë në këtë ngjarje historike”, tha ai.