Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni shqyrton masa ndëshkuese ndaj aleatëve të NATO-s, përmendet pezullimi i Spanjës pas përçarjes për Iranin


Një email i brendshëm i Pentagonit ka nxjerrë në pah opsione të mundshme për të ndëshkuar aleatët e NATO-s që, sipas administratës amerikane, nuk mbështetën operacionet e SHBA-së në luftën me Iranin, përfshirë edhe mundësinë e pezullimit të Spanja nga aleanca.

Sipas një zyrtari amerikan që foli për Reuters në kushte anonimiteti, dokumenti reflekton zhgënjimin e lartë brenda Pentagonit ndaj disa vendeve europiane, të cilat nuk kanë lejuar përdorimin e bazave të tyre ushtarake, hapësirës ajrore apo aksesit për operacionet kundër Iranit.

Një nga opsionet e propozuara përfshin kufizimin e rolit të vendeve “problematike” në strukturat e NATO, deri edhe pezullimin e tyre nga pozicione të rëndësishme apo prestigjioze.

Në këtë kuadër, Spanja përmendet si një rast konkret, pasi qeveria e saj refuzoi të lejojë përdorimin e territorit dhe hapësirës ajrore për sulme ndaj Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër aleatët europianë, duke i akuzuar se nuk kontribuan në mënyrë të barabartë, sidomos për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila u mbyll për trafikun global pas nisjes së konfliktit më 28 shkurt. Ai madje ka ngritur edhe mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga aleanca 76-vjeçare.

Megjithatë, sipas zyrtarit, emaili nuk sugjeron konkretisht daljen e SHBA-së nga NATO apo mbylljen e bazave ushtarake në Europë, por paraqet një sërë alternativash për të rritur presionin ndaj aleatëve.

Dokumenti përmend gjithashtu një ide tjetër të ndjeshme: rishikimin e qëndrimit amerikan mbi pretendimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ishujve Falkland, një çështje historike që ka qenë burim konflikti me Argjentinën. Kjo shihet si një mënyrë për të ushtruar presion politik ndaj aleatëve europianë.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez reagoi duke minimizuar rëndësinë e raportimeve, duke theksuar se qeveria e tij bazohet vetëm në dokumente zyrtare dhe jo në komunikime të brendshme.

Ndërkohë, Londra ka rikonfirmuar qëndrimin e saj të palëkundur mbi sovranitetin e Ishujve Falkland, duke theksuar se ai i përket Mbretërisë së Bashkuar dhe se e drejta për vetëvendosje e banorëve është thelbësore.

Zyrtarë të administratës Trump kanë theksuar se qëllimi i këtyre propozimeve është të reduktohet “ndjenja e privilegjit” te aleatët europianë dhe të sigurohet që NATO të mos funksionojë si një marrëdhënie njëkahëshe.

Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ka nxjerrë në pah tensione të thella brenda aleancës, duke ngritur pikëpyetje serioze për të ardhmen e saj dhe për gatishmërinë e SHBA-së për të mbrojtur aleatët europianë në rast krizash të ardhshme.