Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Prej 6 vitesh denoncojmë skemën e AKSHI-t, jam në gjyq me të afërm të Ramës



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, deklaroi se kreu i PD-së, Sali Berisha, prej kohësh ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se pas skemës korruptive të AKSHI-t qëndron bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Këlliçi u shpreh se opozita e ka denoncuar këtë çështje prej gjashtë vitesh, ndërsa shtoi se aktualisht ndodhet në proces gjyqësor me një të afërm të kryeministrit, i cili sipas tij është përfitues i tenderave nga AKSHI.

“Kemi 6 vite që e kemi denoncuar, por patatja e nxehtë i ka ngecur në dorë nga filmimet e gjetura në zyrën e Agasit. Bëhet fjalë për një skemë private përfitimi. Jam në gjyq me baxhanakun e Ramës. Ai bënte kërdi në tendera. Në rastin e Karçanajt, Rama e ka marrë në mbrojtje direkt. Berisha ia ka thënë në Kuvend që bashkëshortja e Ramës është e përfshirë në dosjen e AKSHI-t, por Rama nuk ka kthyer përgjigje”, deklaroi Këlliçi.

Ai shtoi gjithashtu se ka “presion pozitiv” për të çuar përpara hetimet për këtë çështje, ndërsa theksoi se pretendimet e ngritura prej tij dhe opozitës mbeten për t’u verifikuar nga organet e drejtësisë.