
Kryeministri Edi Rama i dha sot lamtumirën akademikut Rexhep Qosja
“Lamtumirë shqiptar i mirë, Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses” shkroi ai në rrjete sociale.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja. Begaj e vlerësoi Qosjen si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës dhe mendimit shqiptar, duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të tij.
“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni…
Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve.
Pusho në paqe, Profesor!”
Edhe kryeparlamentari Niko Peleshi përcolli ngushëllimet e tij për akademikun Qosja.
Peleshi e vlerësoi Qosjen si një nga mendjet më prodhimtare shqiptare dhe një figurë të rëndësishme intelektuale e kombëtare, duke e cilësuar si një personalitet të paharrueshëm të kulturës shqiptare.
“Sot ndoshta mendja më prodhimtare ndër shqiptarë, ndaloi së menduari.
I dhimbshëm lajmi për ndarjen fizike nga jeta të Rexhep Qoses. Një intelektual i përmasave mbarëkombëtare e përtejkombëtare, atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë.
I paharruar qofsh përgjithmonë profesor Rexhep Qosja!”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Ballaka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një figurë të madhe të mendimit shqiptar.
“Lajm i trishtë për mbarë shqiptarinë ndarja nga jeta e akademikut të madh, atdhetarit të paepur Rexhep Qosja. Veprat që ka lënë pas nuk janë thjesht libra – janë kujtesë kombëtare, janë ndërgjegje dhe thirrje për dinjitet.
Në çdo rresht të shkruar nga Qosja ynë i madh ndihet dashuria për Shqipërinë dhe për shqiptarinë, një dashuri që nuk do zbehet me kalimin në amshim. U prehsh në paqe!”
Deputetja e PS, Evis Kushi ka shprehur gjithashtu ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare.
Ajo vlerëson se vepra e tij do të mbetet e gjallë në brezat që ka frymëzuar.
“Kam pasur privilegjin ta takoj nga afër Akademikun Rexhep Qosja, një prej figurave më të ndritura të mendimit, letërsisë dhe identitetit tonë kombëtar. I ruaj gjithmonë të gjalla në kujtesë këshillat e vyera, urtësinë, qartësinë dhe përkushtimin e tij ndaj së vërtetës dhe dijes.
Vepra dhe kontributi i tij nuk do të shuhen me largimin fizik, por do të jetojnë në librat që na la, në mendimin kritik që frymëzoi, në brezat që edukoi me shembullin e tij dhe në zërin e rrallë që i dha kuptim kohës sonë.
I përjetshëm kujtimi i Tij! “
Gjithashyu Pandeli Majko ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja , duke e vlerësuar si një figurë të rëndësishme të mendimit dhe historisë shqiptare.
“Rexhep Qosja ka ndruar jetë!
Ai ishte protagonisti më i dalluar i cili e lidhi kohën e jetuar me pavarësinë e Kosovës dhe kombin shqiptar!
Në Kosovë, historia, ka prodhuar heronj, komandantë, viktima apo personazhe teatralë! Rexhep Qosja ishte përjashtim! Ai qëndroi ndryshe nga të tjerët që kërkuan duartrokitje!
Rexhep Qose kërkoi vetëm kohë! Ai jetën e kaloi duke ndërtuar marrdhënien e shqiptarëve me kujtesën kombëtare!
Rexhep Qosja ishte edhe ura e padukshme mes politikës dhe kujtesës! Ai provoi se legjitimiteti nuk fitohet vetëm me vota.
Rexhep Qosja nuk pati iluzione për natyrën njerëzore! Në botën shqiptare, si kudo, protagonistët fillimisht përqafohen si shpëtimtarë kombëtarë, për t’u hedhur poshtë kur pritjet për ndryshime të shpejta nuk përmbushen!
Sot, Kosova ka humbur “Prometeun” i cili dha dijen dhe pagoi “çmimin” e saj! Dheu i lehtë profesor!…”
Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.
Nikolla shprehu ngushëllime për familjen dhe vlerësoi trashëgiminë e tij intelektuale.
“Akademiku i shquar dhe shqiptari i madh Rexhep Qosja është ndarë nga jeta.
Një humbje e jashtëzakonshme për shkencën, kulturën dhe kombin shqiptar.
Rexhep Qosja na mësoi të shohim më qartë, të mendojmë më thellë, të ndjejmë më dhimbshëm, të duam më fort gjuhën dhe identitetin tonë, t’u përkushtohemi më shumë vlerave kombëtare dhe të luftojmë më me guxim për mbrojtjen e tyre.
Ngushëllime familjes.
U prehsh në paqe, akademik i nderuar!”
Akademiku Rexhep ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar.
I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci. Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.
Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.
Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë.
Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000.
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha