Vendosni fjalën kyçe....

Sllovakia drejt referendumit për heqjen e pagesave të përjetshme për ish-zyrtarët e lartë


Sllovakia do të mbajë një referendum më 4 korrik për të vendosur nëse duhet të hiqen pagesat e përjetshme për ish-kryeministrat dhe drejtuesit e parlamentit që kanë shërbyer të paktën dy mandate, përcjell Euronews.

Presidenti Peter Pellegrini konfirmoi se votimi do të zhvillohet gjatë verës, pas një peticioni të nënshkruar nga mbi 350 mijë qytetarë, i organizuar nga një forcë opozitare jashtë parlamentit.

Një nga figurat kryesore që preket nga kjo çështje është kryeministri aktual Robert Fico, i cili, sipas ligjit aktual, përfiton një pagesë mujore të përjetshme të barabartë me pagën e deputetëve pas përfundimit të mandateve.

Në të njëjtën ditë, qytetarët do të votojnë edhe për rikthimin e zyrës së prokurorit special, e cila më parë merrej me krime të rënda si korrupsioni dhe krimi i organizuar, por u shfuqizua nga qeveria në vitin 2024.

Referendumi vjen në një klimë të tensionuar politike, me protesta të vazhdueshme kundër politikave të qeverisë dhe qëndrimeve të perceptuara si pro-ruse të Ficos.

Pagesat e përjetshme për zyrtarët e lartë u miratuan pas një atentati ndaj Ficos në vitin 2024, një ngjarje që tronditi vendin dhe solli masa shtesë për sigurinë e politikanëve.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse referendumi do të jetë i vlefshëm, pasi në historinë e Sllovakisë vetëm një referendum ka rezultuar i suksesshëm: ai i vitit 2003 për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa të tjerët kanë dështuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët.