Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon 10 vite burg për Vis Berberin, akuza për korrupsion dhe pastrim parash



Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për Vis Berberin, i akuzuar për disa vepra të rënda penale.

Sipas organit të akuzës, ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria bëri të ditur se, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të reduktohet me një të tretën, sipas parashikimeve ligjore.

Përveç dënimit me burg, SPAK ka kërkuar edhe ndalimin e Berberit nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Në të njëjtën kohë, është kërkuar edhe konfiskimi i pasurive të sekuestruara në zotërim të tij, ku përfshihen 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë të rinj, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nga gjykata në vijim të procesit.