Vendosni fjalën kyçe....

“Rritja e pensioneve e pandalshme” – Rama


Qeveria ka propozuar një masë mbështetëse për familjet që kujdesen për fëmijë me aftësi të veçanta.

Gjatë një takimi me banorë në njësinë nr. 4, kryeministri Edi Rama deklaroi se prindërit apo familjarët që kujdesen për këta fëmijë do të përfitojnë pension, pasi kontributet e sigurimeve shoqërore do të mbulohen nga shteti.

Sipas tij, kjo skemë pritet të nisë me aktin normativ që parashikohet të miratohet në qershor.

Rama theksoi se qeveria ka nisur një proces të vazhdueshëm rritjeje të pensioneve, duke parashikuar që çdo fillim viti rritja të shtohet progresivisht. Sipas tij, nëse në janar të këtij viti pensioni është rritur me një nivel të caktuar, në vitet pasuese kjo rritje do të dyfishohet, trefishohet dhe më pas katërfishohet, me synimin për të arritur nivelet e premtuara për pensionistët.

Ai nënvizoi se shumë familje janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijë ose të afërm që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme, gjë që shpesh i pengon të jenë të punësuar dhe, si pasojë, rrezikojnë të mbeten pa pension në të ardhmen. Për këtë arsye, sipas tij, shteti do të marrë përsipër pagesën e kontributeve për sigurimet shoqërore për këta kujdestarë.

Kryeministri shtoi gjithashtu se parashikohet edhe dyfishimi i shpërblimit për prindërit që kujdesen për fëmijë me nevoja të veçanta, një mbështetje që synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve. Ai argumentoi se këto masa bëhen të mundura nga rritja ekonomike, e cila sipas tij po krijon hapësira më të mëdha për politika sociale.

“Kemi filluar një proces të pandalshëm rritje të pensioneve që do të sjellë çdo fillim viti, dyfishimin e rritjes. Pra, nëse në janar të këtij viti pensioni ju rrit X, në janar të vitit tjetër X-i do të jetë dyfish; në janarin e 2028-s X-i do të jetë trefish; në janarin e 2029-s X-i do të jetë katërfish dhe do të arrijmë në ato nivele që kemi marrë përsipër të arrijmë edhe me pensionistët.

E kemi ditur ne madje dhe e kemi thënë më parë, por do ta realizojmë tani, që kujdestarët, prindër apo kujdestarë të afërm, familjarë e tjerë, e tjerë, të fëmijëve me aftësi të veçanta, kemi shumë fëmijë me aftësi të veçanta që kanë nevojë për kujdes të drejtpërdrejtë, kemi shumë njerëz që kanë nevojë për kujdestarë e tjerë, e tjerë dhe që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, të kujdesen për njeriun e afërt, për fëmijën, nuk mundet dot që për këtë shkak të penalizohen dhe të mbeten pa pension nesër. Kështu që do t’ua paguajë shteti sigurimet shoqërore dhe kjo do të fillojë nga akti i ardhshëm normativ i qershorit.

Ashtu sikundër, kemi thënë dhe tani do ta realizojmë edhe dyfishimin e shpërblimit për prindërit që kujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta, për nënat në radhë të parë, diçka që është e mirëpritur patjetër nga prindërit, diçka që patjetër do ishte mirë të ishte bërë më përpara, por mundësitë nuk kanë qenë. Pra, po ngremë një ekonomi që po rrit mundësitë, kjo është shumë e rëndësishme dhe ajo që është inkurajuese, është që rritja vazhdon të jetë e qëndrueshme”, tha Rama.