Një juri në Los Anxhelos ka shpallur fajtorë për neglizhencë Meta dhe Google, duke i konsideruar përgjegjëse për dizajnin e platformave sociale që dëmtojnë të rinjtë. Vendimi vjen në një proces gjyqësor me vlerë 6 milionë dollarë, që pritet të shërbejë si precedent për mijëra çështje të ngjashme, përcjell Reuters.
Juria vendosi që Meta të paguajë 4.2 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa Google 1.8 milionë dollarë. Edhe pse shuma konsiderohet e vogël për dy nga kompanitë më të mëdha në botë, rasti shihet si një goditje e rëndësishme ligjore.
Padia u ngrit nga një 20-vjeçare, e identifikuar si Kaley, e cila pretendon se u bë e varur nga YouTube dhe Instagram që në moshë të re, për shkak të elementeve të dizajnit si “scroll-i i pafund”.
Juria arriti në përfundimin se kompanitë kanë dështuar të paralajmërojnë për rreziqet dhe kanë ndërtuar produkte që nxisin varësinë.
“Vendimi i sotëm është një referendum për një industri të tërë – llogaridhënia ka mbërritur”, deklaroi avokati i paditëses.
Të dyja kompanitë kanë bërë të ditur se nuk janë dakord me vendimin dhe planifikojnë ta apelojnë atë.
Gjatë gjyqit, drejtori ekzekutiv i Metës, Mark Zuckerberg, mbrojti vendimet e kompanisë, duke argumentuar se kufizimet mbi funksione të caktuara mund të cenonin lirinë e shprehjes së përdoruesve.
Ky proces konsiderohet si një “test case” për mijëra padi të tjera të depozituara në gjykatat e Kalifornisë, ku kompanitë e teknologjisë akuzohen për ndikim negativ në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Ndryshe nga raste të tjera, kjo padi u fokusua tek dizajni i platformave dhe jo tek përmbajtja, duke anashkaluar mbrojtjet ligjore që zakonisht kanë kompanitë për materialet e publikuara nga përdoruesit.
Rasti vjen në një kohë kur kritikat ndaj kompanive të mëdha teknologjike në SHBA janë shtuar, sidomos për sigurinë e fëmijëve në internet.
Ndërkohë, edhe kompani të tjera si Snap dhe TikTok ishin pjesë e çështjes, por arritën marrëveshje me paditësen para fillimit të gjyqit.
Vendimi mund të ndikojë në të ardhmen e industrisë së rrjeteve sociale, duke shtuar presionin për vendosjen e masave më të forta mbrojtëse për përdoruesit e rinj.
